Pas 30 ditëve fushatë, në orën 00:01 të kësaj të shtune ka nisur zyrtarisht heshtja zgjedhore. Sipas ligjeve të Shqipërisë, heshtja zgjedhore fillon një ditë para mbajtjes së zgjedhjeve, ditë në të cilën ndalohet çdo organizim apo thirrje publike, për çdo subjekt politik dhe kandidat politik, po ashtu janë të ndaluara edhe të gjitha llojet e marketingut zgjedhor.

Referuar nenit 77 të Kodit Zgjedhor, 24 orë para datës së zgjedhjeve përfundon fushata e partive politike, duke ia lënë vendin heshtjes zgjedhore.“Dita përpara datës së zgjedhjeve dhe data e zgjedhjeve, deri në orën e mbylljes së votimit, formojnë periudhën e heshtjes zgjedhore.

Në periudhën e heshtjes zgjedhore nuk lejohet asnjë lloj fushate zgjedhore nëpërmjet organeve të medias, si dhe zhvillimi i mitingjeve ose i veprimtarive të tjera zgjedhore të subjekteve zgjedhore”, thuhet në nenin 77 të Kodit Zgjedhor. Për çdo parti apo kandidat që e thyen heshtjen zgjedhore, gjobitet nga KQZ-ja me 500 mijë lekë dhe ankimimi i këtij vendimi nuk pezullon ekzekutimin e tij.

Me 30 qershor, 3.5 mln shqiptarë që kanë të drejtën e votës do t’u drejtohen kutive të votimit ku do të zgjedhin kryebashkiakun e ri në 61 Bashki të vendit. Ndryshe sa ka ndodhur në këto 28 vite pluralizëm, këto të zgjedhje zhvillohen pa pjesëmarrjen e opozitës, me këtë të fundit që ka djegur mandatet si dhe ka refuzuar që të marrë pjesë në zgjedhje, pa largimin e kryeministrit Edi Rama.

Gjithashtu, këto zgjedhje vijnë një një kohë kur vendi ndodhet në një krizë institucionale, kur ka tre dekrete mbi datën e këtë zgjedhjeve nga Presidenti Ilir Meta; dekretin kur është caktuar 30 qershori, kur është zhdekretuar dhe dekreti i fundit kur është caktuar data e tjetër 13 tetor.

Për këtë është shprehur Kolegji Zgjedhor, të cilën kanë vlerësuar si antikushtetuese zhdekretimin dhe ’13 tetorin’ duke lënë në fuqi 30 qershorin, datë për të cilin ndërkombëtarët janë shprehur njëzëri për zhvillimin e procesit zgjedhor.

Artikulli paraprakSHIROKË, SHËTITORJA PRE E VANDALIZMAVE
Artikulli tjetërMJETET E USHTRISË BËJNË SHPËRNDARJEN E MATERIALEVE ZGJEDHORE NË KUKËS