
Kryeministri Edi Rama, i është përgjigjur sot në rubrikën e tij “Sy m’Sy” komentin e një qytetari lidhur me turizmin në vend, ku sipas tij në Shqipëria është më shumë për të huajt sesa për shqiptarët.
Rama foli me shifra ku tha se sipas INSTAT, gjatë vitit 2024 kanë qenë rreth 979, 456 rezidentë shqiptar që kanë qenë pushues në hotelet dhe bujtinat në Shqipëri.
‘Shqipëria për të huajt edhe pak për shqiptar’, po mirë vërtetë e ke? Po mirë këta të huajt kur vijnë këtu e marrin ushqimin me vete apo hanë në tryezat e shqiptarëve, vijnë me krevat në krahë apo flenë në hotelet bujtinat dhe shtëpitë e shqiptarëve. Dhe tjetra se kjo është çudi e madhe kur thuhet se shqiptarët nuk bëjnë turizëm, ose në Korçë s’ka shqiptar të tjerë përveçse disa që vijnë nga Tirana. Po mirë e di ti sa shqiptar bëjnë pushime brenda dhe lëvizin për fundjava, për shqiptar që jetojnë në Shqipëri dhe jo për ata që jetojnë jashtë dhe vijnë me pushime në Shqipëri.
Sipas instat 979, 456 rezidentë shqiptar kanë qenë pushues në hotele dhe bujtinat gjatë 2024 dhe këtu nuk futen ata që kanë rezidenca dytësore. Ata që se duan qeverinë përdorin argumentin se unë qenkam jashtë realitetit dhe realiteti qenka s’ka rrugë, s’ka drita s’ka ujë. Nuk e di po inati politik e bëka njeriun të verbër dhe shurdh, tamam tifoz futbolli, sidoqoftë dielli nuk mbulohet me shosh dhe shqiptarët që punojnë dhe i shohin gjërat e bëra me punë dhe me luftë i kanë të qarta’, tha ai.