Shqipëria ka përqindjen më të lartë në Ballkanin Perëndimor të të anketuarve që shprehen të shqetësuar për koston e jetesës dhe inflacionin. Sipas anketës SecuriMeter 2026 të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, 96,6% e të anketuarve në Shqipëri shprehën shqetësim, kundrejt 83,4% mesatarisht në gjashtë vendet e rajonit. Diferenca është 13,2 pikë përqindjeje.

Maqedonia e Veriut është vendi i vetëm që i afrohet Shqipërisë, me 93,8% të të anketuarve që shprehin shqetësim. Në Bosnjë dhe Hercegovinë, përqindja zbret në 82%, në Mal të Zi në 78,3% dhe në Serbi në 76,3%.

Shqipëria kryeson edhe për intensitetin e shqetësimit. Në një shkallë nga 1 në 10, të anketuarit e vlerësuan shqetësimin për koston e jetesës dhe inflacionin me mesatarisht 9 pikë, kundrejt 8 pikëve në rajon. Për të llogaritur përqindjen e të shqetësuarve, anketa përfshiu përgjigjet nga 6 deri në 10 pikë.

Shqetësimi për koston e lartë të jetesës mori mesatarisht 8,79 pikë në Shqipëri, kundrejt 8,19 pikëve në rajon. Për inflacionin, vlerësimi ishte 8,45 pikë, kundrejt 8,12 pikëve në rajon. Bashkimi i dy çështjeve në një pyetje të vetme në vitin 2026 kufizon krahasimin e drejtpërdrejtë të pikëve.

Në Shqipëri, 50,6% e të anketuarve thonë se mund ta mbajnë banesën mjaftueshëm të ngrohtë në dimër dhe të freskët në verë. Kjo është përqindja më e ulët në rajon, ku mesatarja arrin në 62,4%. Vetëm 3,6% shprehen kryesisht ose plotësisht të kënaqur me mundësinë për të gjetur një banesë ose qira të përballueshme, kundrejt 24,7% në rajon./ Monitor

SHKARKO TANI
Artikulli paraprakRAMA PUBLIKON SHIFRAT: 300 MIJË PASAGJERË NË 10 DITËT E PARA TË NËNTORIT NË AEROPORTIN E TIRANËS! VIJON PUNA PËR ZGJERIMIN E TIJ
Artikulli tjetërRAPORTI/ ÇMIMET E USHQIMEVE NË SHQIPËRI U RRITËN 5 HERË MË SHUMË SE NË BE NË TETOR 2026