Dëshira e shqiptarëve për të ikur është aq e lartë, saqë po ia kalojnë edhe vendeve që janë në luftë apo në konflikte të thella civile. Në gjashtë muajt e parë të këtij viti, Shqipëria ishte vendi i parë në botë për kërkesat për azil në një nga vendet e Bashkimit Europian, raport me popullsinë. “Monitor”, për të bërë të krahasueshme shifrat, ka përllogaritur aplikimet për herë të parë gjatë gjashtë muajve të parë të 2019-s duke u bazuar te të

dhënat e Eurostat për aplikimet në vlerë absolute dhe popullsinë sipas të dhënave të Bankës Botërore.Sipas të dhënave të Zyrës Europiane të Mbështetjes së Azilantëve për periudhën janar-korrik, aplikimet për azil nga Shqipëria në një nga vendet e Bashkimit Europian ishin gjithsej rreth 14 mijë, me një rritje të ndjeshme prej 24%, në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Rreth 90% e këtyre aplikimeve janë për herë të parë, ndërsa ka dhe nga ata që nuk heqin dorë dhe e tentojnë sërish fatin.Të paktën rreth 2,000 persona në muaj kanë ikur nga vendi me qëllimin për të mos u kthyer më përgjatë 7 muajve të parë të këtij viti.

Kjo është vetëm shifra që regjistrohet, pasi ka dhe shumë të tjerë që zgjedhin të largohen në heshtje, duke mos aplikuar për azil dhe duke mos treguar që nuk kanë ndër mend që të kthehen më.

Artikulli paraprakSHKODËR, TERMINALI PËR AUTOBUSËT DEL JASHTË “LOJE”
Artikulli tjetërGJERMANËT TË MAHNITUR ME KALANË ROZAFA