Është ndarë nga jeta në moshën 76-vjeçare përkthyesi i shquar i letërsisë shqipe në gjermanisht Hans-Joachim Lanksch.

Lanksch vdiq sot pas një sëmundje të gjatë. Ai ka përkthyer në gjermanisht poezitë e Martin Camajt, Ali Podrimjes dhe një roman të Kasëm Trebeshinës.

Lajmi për ndarjen e tij nga jeta është publikuar dhe në faqen zyrtare në facebook të Akademisë së Shkencave.

Hans-Joachim Lanksch lindi në vitin 1943 në Braunschweig (RFGJ) dhe u shpërngul qysh në rini në Mynih, ku studioi në fushat e filologjisë ballkanike, sllavistikë, kulturë popullore dhe albanologji.

Studimi i thelluar i gjuhës shqipe, i kulturës dhe letërsisë shqiptare u përftua natyrshëm falë njohjes dhe miqësisë me prof. Martin Camajn, i cili drejtonte atëbotë degën e albanologjisë në universitetin elitar „Ludwig-Maximilian“ të Mynihut.

Falë kësaj kësaj njohjeje zoti Lanksch nuk u shkëput më nga letërsia dhe lirika shqipe, duke bartur e përcjellë kandin e saj në hapësirën gjermanishtfolëse.

Penda e tij bëri të kumtojnë dhe „rikrijojnë“ gjermanisht shkrimtarë e poetë të spikatur si Martin Camaj, Lasgush Poradeci, Azem Shkreli, Ali Podrimja, Fatos Arapi, Visar Zhiti etj.

Vëmendje të veçantë u përkushtoi Përkthyesi Ynë për thuajse gjysmë shekulli prurjes së brezave të rinj të shkrimtarëve dhe poetëve shqiptarë, duke i bërë ata të njohur në letërsinë botërore bashëkohore, si: Frederik Rreshpja, Jamarbër Marko, Rudolf Marku, Elvira Dones, Ridvan Dibra, Mimoza Ahmeti, Luljeta Lleshanaku, Lindita Arapi, Agron Tufa, Ledia Dushi etj.

Puna e tij është laureuar me çmimet „Nikolaus Lenau“ i Shoqatës së Artistëve në Esslingen (1999); „Penda e Argjendtë“ (Tiranë 2002) dhe „Azem Shkreli“ (2018).

Artikulli paraprakBINDJA DEMOKRATIKE, MBETET ME VETËM 5 KANDIDATË NË ZGJEDHJE
Artikulli tjetërPA LETRA DHE VIDHTE SHTËPITË E ITALIANËVE, PRANGOSET SHQIPTARI