Kampioni i Europës në atletikë Izmir Smajlaj tashmë do të nisë disa gara të ndryshme për t’u bërë kështu gati për kampionatin botëror ku edhe aty synon një rezultat pozitiv.

Smajlaj nga sa mësohet ditën e premte të kësaj jave me 2 qershor do të marrë pjesë në një miting ndërkombëtar që zhvillohet në shtetin e Austrisë. Patjetër që objektiv i shkodranit është për të qenë fitues i kësaj gare dhe të sigurojë medaljen e arit me rezultatin më të mirë nga të gjithë pjesëmarrësit e tjerë.

Patjetër që ky miting përveç anës sportive sjell edhe të ardhura për kampionin e Europës. Smajlaj këto ditë është stërvitur intensivisht dhe tashmë ruan formën e mirë sportive për të qenë kështu sërish në nivelin e duhur si e vetmja mundësi për të arritur rezultate të larta. Edhe në Austri shkodranin kampion i Europës do të përpiqet të tregojë vlerat që mbart dhe se suksesi i madh i arritur në Serbi nuk është rastësor.

Në garën e Austrisë ka një rivalitet të madh sepse marrin pjesë edhe atletë të tjerë cilësorë nga Europa. Përveç mitingut në Austri Smajlaj ka edhe një sërë garish tjera të rëndësishme dhe tashmë aktivitetet për të do jeni të njëpasnjëshme. Menjëherë sapo të kthehet nga Austria, shkodrani do të udhëtojë drejt Bosnjes sepse atje me 7 qershor ka një tjetër garë të rëndësishme të ngjashme me atë të Austrisë.

Smajlaj do të shoqërohet nga trajneri i tij Vildan Tufi. Pas Bosnjes do të rikthehet në Shqipëri për të marrë pjesë në kampionatin kombëtar për të rritur që zhvillohet me 10 qershor në Elbasan ku natyrisht vendi i parë as nuk diskutohet për atletin e Vllaznisë ndërsa kuqeblutë synojnë të shpallen kampion edhe si ekip.

Muaji qershor për Izmir Smajlajn përfundon me datë 24 teksa këtë radhë do udhëtojë drejt Maltës për të marrë pjesë në Ligën e Europës për shtetet e vogla. Edhe aty do të synojë që të fitojë medaljen e arit. Nga ana tjetër në të gjitha këto gara një tjetër objektiv përveç vendeve të para është edhe thyerja e rekordit në kërcim së gjati. Smajlaj pas suksesit në kampionatin europian do vijojë të nderojë veten, qytetin dhe shtetin e tij me medaljet që synon të fitojë.

Artikulli paraprakARSIMI NË RREZIK, MBI 400 FËMIJË BRAKTISIN SHKOLLËN
Artikulli tjetërDORËHIQET NËNKRYETARI I KQZ-SË