Një vit ikën e në mbrëmje një tjetër do trokasë në jetët tona, pasi akrepat e orës të shënojnë 00:00. Kremtimi i Vitit të Ri është një nga festat më tradicionale që festohet në vendin tonë dhe në mbarë botën.

Ndryshe nga viti i kaluar, festa e këtij fundviti në vendin tonë do të jetë e ‘lirë’ nga ora policore, por megjithatë nën ‘hijen’ e variantit Omicron që ka frikësuar botën. Ky vendim u mor nga Komiteti Teknik i Ekspertëve në mbledhjen e fundit. Por pavarësisht se ora policore nuk do të jetë në fuqi, Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu është shprehur se në 31 dhjetor qytetarët do duhet të kenë shumë kujdes, pasi respektimi i masave është një përgjegjësi individuale.

Shqiptarët sipas traditës do të festojnë sot me verë, gjel deti, dhurata e këngë, duke shpresuar dhe uruar për një vit më të mirë. Star Plus i uron gjithë shqiptarëve kudo që janë: “Gëzuar Vitin e ri, 2022!”.