Pasditen e sotme në orën 18:00 opozita shqiptare do të zhvillojë protestën e radhës para Kryeministrisë për të kërkuar largimin e qeverisë Rama nga pushteti, pasi e akuzon si të korruptuar dhe të lidhur me krimin.

Kjo do të jetë protesta e tretë para selisë së qeverisë dhe e teta në total duke përfshirë edhe ato para parlamentit gjatë zhvillimit të seancave plenare.

E ndërsa protestat e tjera opozita i ka zhvilluar paradite para Kryeministrisë, sot ka vendosur që të ndryshojë skenar duke u zhvendosur pasdite, ndërsa ende nuk dihet se cfarë do të ndodhë më pas, sa do të zgjasë, deri kur do të qëndrojnë militantët e partive opozitare, PD-së dhe LSI-së në bulevard.

Simpatizantët e dy partive kryesore kanë nisur përgatitjet, teksa disa prej tyre janë nisur që në mëngjes për në kryeqytet. Policia e Shtetit ka marrë masat për mbarëvajtjen e tubimit me kamera sigurie, dronë, agjentë civilë, mbi 1500 efektivë policie, automjete të hedhjes së ujit,

autoblinda për monitoruar gjithcka dhe ndërhyrë në rast se do të ketë eskalim të situatës. Paraditen e djeshme janë pastruar kamerat e sigurisë për të pasur një fokusim të qartë,

për të shmangur ngjitjen e protestuesve, shtyllat janë lyer me graso, ndërsa u vendos mbrojtësja te dera e jashtme e Kryeministrisë, por edhe rrethimi me gardh metalik.

Pjesë e masave të policisë është edhe bllokimi i qarkullimit në rrugën ‘Ismail Qemali’, ‘Ibrahim Rugova’ lidhje me bulevardin, ura e Lanës nga ministria e Brendshme deri tek Presidenca aty ku do të ndalohet dhe parkimi i mjeteve.

Përfaqësitë ndërkombëtare kanë dënuar dhunën në tubimet e kaluara duke bërë thirrje për protesta paqësore, ndërsa e kanë cilësuar të gabuar djegien e mandateve dhe largimin e opozitës nga Kuvendi.

Ndërkohë që sot nuk do të ketë protestë vetëm në Shqipëri, pasi janë paralajmëruar protesta masive antiqeveritare edhe në Serbi.

Artikulli paraprakBALLIU I PD-SË ASHPËRSON TONET PARA PROTESTËS
Artikulli tjetërGJERMANIA: BALLKANI ËSHTË DETYRË E EVROPËS, KUFIJTË JANË TË (PA)PREKSHËM