Gjatë një takimi me pedagogë dhe studentë të fakultetit Ekonomik në Universitetin Bujqësor të Tiranës, ministrja e Ekonomisë dhe Financave Delina Ibrahimaj ka prozuar që të ketë një tjetër mënyrë taksimi për pronën, ku përfshihen banesat apo toka bujqësore, ajo për zhvillim apo ndërtesa të ndryshme. Lidhur me strategjinë e takës së pasurisë, Ibrahimaj tha se duhet të ketë një takim në bazë të çmimeve të tregut dhe jo më nga harta e referncës. Ajo tha se një praktikë e tillë është ndërkombëtare dhe shtoi se taksa duhet të kuptohet nga e gjithë popullsia.

“Propozojmë të kalojmë nga një taksim në bazë të çmimeve të referencës, në një taksim i cili merr parasysh çmimet e tregut, që në fakt është praktika ndërkombëtare. Nga ana tjetër, duhet patjetër që taksa të jetë e drejtë, efektive dhe transparente, por mbi të gjitha duhet të jetë e thjeshtë. Duke qenë se është një taksë që prek të gjithë popullatën e vendit, duhet që të kuptohet thjesht nga popullata, të perceptohet thjesht, të mblidhet thjesht dhe kjo është arsyeja pse ne duam të diskutojmë me detaje çdo element të taksës, pra nga niveli, tek mbledhja, te komunikimi”, u shpreh ajo.

Ministrja shpjegoi se përmes këtij ligji synohet të vendoset drejtësi në taksim. Ibrahimaj theksoi se të ardhurat nga mbledhja e taksës së pasurisë dhe taksës së pronës në Shqipëri përbëjnë rreth 0.3 % ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto. Sipas saj, kjo është një normë shumë e ulët dhe mbledhja në këtë nivel të ulët vjen, qoftë si pasojë e nivelit të taksimit dhe formës së taksimit, por edhe si pasojë e nivelit të mbledhjes dhe administrimit të saj.

“Mesatarja e vendeve të rajonit, por edhe mesatarja e vendeve, sipas kategorive të të ardhurave, është më e lartë se sa ajo që mbledhim ne. Vendet e rajonit kanë një mesatare rreth 0.8 % të GDP, ndërkohë që ne jemi në nivelin 0.3 % të GDP, ndërsa përgjithësisht vendet e OECD e kanë 1.1 % të GDP, vendet e zhvilluara si SHBA, Kanada dhe Anglia shkojnë nga 2.5 në 3 %. Pra, dukshëm dhe qartazi ne kemi një nivel shumë të ulët dhe taksimi dhe mbledhje”, u shpreh Ibrahimaj.

Ibrahimaj informoi se ligji parashikon kategoritë që do të subvencionohen, pasi sipas saj, ka kategori të cilat kanë paaftësi në pagesë.

“Për sa i përket taksës që supozohet që të jetë taksë për sektorin bujqësor, për tokat bujqësore apo pyjore, ka disa lehtësi që lidhen me vitet e para të prodhimit, në mënyrë që ne të bëjmë të mundur që të nxisim mbjelljen, të nxisim prodhimin, të nxisim shfrytëzimin e pronës”, theksoi ministrja.

Artikulli paraprakPR.LIGJI PËR KANABISIN, META KUNDËR: LEGALIZIM DE FACTO I TRAFIKUT TË DROGËS DHE NARKOSHTETIT NË VEND
Artikulli tjetërTENSIONET NË VERI TË KOSOVËS, BORRELL: I ALARMUAR, SITUATA PO BËHET E RREZIKSHME!