
Tajfuni Dujuan ka shkaktuar dy viktima në Japoni, anulimin e 275 fluturimeve dhe evakuimin e 1.6 milionë banorëve, ndërsa reshjet e dendura kanë sjellë përmbytje dhe rrëshqitje toke pranë Tokios. Dy persona humbën jetën pasi shirat e rrëmbyeshëm shkaktuan rrëshqitje toke në prefekturat Chiba dhe Kanagawa, pranë Tokios, thanë autoritetet, sipas mediave japoneze, përfshirë agjencinë e lajmeve Kyodo.
Tajfuni, rreth 130 kilometra në jug të Katsurës, pranë Tokios, solli erëra që arrinin deri në 144 kilometra në orë. Më shumë se 9,000 familje mbetën pa energji elektrike në prefekturat Chiba, Saitama dhe Shizuoka, si dhe në zona të tjera pranë zonës metropolitane të kryeqytetit japonez.
Më shumë se 1.6 milionë banorë të kryeqytetit dhe zonave përreth u nxitën të evakuonin shtëpitë e tyre në zonat e cenueshme. Megjithatë, këto udhëzime nuk janë të detyrueshme në të gjithë vendin.
Japan Airlines anuloi 135 fluturime, ndërsa All Nippon Airways anuloi 140 fluturime vendase. Kompani të ndryshme hekurudhore pezulluan gjithashtu shërbimet në disa linja në Tokio dhe zonat përreth.
JMA kishte paralajmëruar të dielën se shiu dhe erërat do të intensifikoheshin përpara se tajfuni të arrinte në tokë. Sipas agjencisë, reshjet totale të shiut deri të martën mund të tejkalonin mesataren për të gjithë muajin shtator dhe të vendosnin një rekord të ri.






