
Ambasadorja e SHBA-ve në Tiranë Yuri Kim është takuar sot me kryetaren e parlamentit Lindita Nikolla, teksa në një postim në “Twitter” shpreh vlerësimin për lidershipin e saj në mundësimin e debatit dhe diskutimit të rregullt nga deputetët në emër të qytetarëve, duke demonstruar se askush nuk është mbi ligjin dhe forcimin e lidhjeve ndërmjet institucioneve demokratike amerikane dhe shqiptare.
Ambasadorja Kim gjithashtu përshëndet mbështetjen e parlamentit për drejtësinë dhe reformat e tjera për integrimin e Shqipërisë në BE.
“Parlamenti është një institucion thelbësor i demokracisë. Ne e vlerësojmë lidershipin e Kryetares Lindita Nikolla në mundësimin e debatit dhe diskutimit të rregullt nga deputetët në emër të qytetarëve, duke demonstruar se askush nuk është mbi ligjin dhe forcimin e lidhjeve ndërmjet institucioneve demokratike amerikane dhe shqiptare.
Ne përshëndesim mbështetjen e Parlamentit për drejtësinë dhe reformat e tjera të nevojshme që Shqipëria të bashkohet me BE; kundërshtimin ndaj luftës së paprovokuar dhe të pajustifikueshme të Rusisë në Ukrainë; dhe bashkëpunimin e fortë me SHBA-të për të rritur demokracinë, mbrojtjen dhe lidhjet e biznesit, veçanërisht kur ne festojmë 100 vjet së bashku”, shkruan ambasadorja Yuri Kim.