Kryeprokurorja Arta Marku ka vendosur pezullimin nga detyra të prokurores Rovena Gashi dhe të bashkëshortit të saj Dritan Gina.

Rovena Gashi cilësohej edhe si “krahu i djathtë” i ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla. Çifti i prokurorëve janë pezulluar, pasi sipas prokurorisë janë marrë të pandehur për refuzimin të deklarimit të pasurisë.

Sipas Kryeprokurores Arta Marku, prokurorja Gashi dhe bashkëshorti i saj do të jenë të pezulluar deri në përfundim të hetimeve ose gjykimit të procedimit penal të regjistruar pranë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Durrës. Prokuroria e Durrësit pas hetimit të nisur për çiftin vendosi që t’i marrë të pandehur.

Shifrat e fshehur nga çifti Gashi-Gina mbetet e pazbardhur, ndërsa vendimi për pezullimin u mor të premten, por u zbardh ditën e sotme.

Rovena Gashi ishte prokurore pranë Prokurorisë së Përgjithshme Tiranë, ndërsa burri i saj Dritan Gina ka qenë prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë.

Pak muaj më parë çifti i prokurorëve u përfshi në akuza ndaj Kryeprokurores, pasi Dritan Gina u shkarkua si drejtues i prokurorisë së Elbasanit ku ishte i komanduar duke u rikthyer në Tiranë, ndërsa gruaja e tij,

Gashi u shkarkua nga posti i drejtueses së Njësisë së Dekriminalizimit në Prokurorinë e Përgjithshme duke kaluar prokurore e thjeshtë.

Por sot, të dy janë shkarkuar nga detyra, pasi janë marrë të pandehur për mosdeklarim pasurie. Nëse do të shpallen fajtor do të përjashtohen nga sistemi i drejtësisë. Kujtojmë që Gashi është një prej 10 kandidatëve për në Kushtetuese, por edhe pjesëtare e KED. Me pezullimin nuk dihet nëse Gashi e humbet statusin në KED, Këshillin e Emërimeve në Drejtësi.

Vendimet e Arta Markut
Prokurori i Përgjithshëm znj.Arta Marku me vendimin nr.140, dt. 11-05-2018, bazuar në nenet 148/d pika 4, gërma “b” dhe 179 pika 7 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë; në nenet 151, pika 1, gërma “b” dhe pika 2 gërma “b”; 155 dhe 160, pika 2, gërma “c”, të ligjit nr. 96/2016, “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, vendosi:

Pezullimin nga detyra të prokurores pranë Prokurorisë së Përgjithshme Tiranë, znj. Rovena Gashi.

Pezullimi i znj.Gashi u vendos pasi Kryeprokurorja u njoh me informacionin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Durrës në lidhje me ngritjen e akuzës dhe marrjen në cilësinë e të pandehurit të shtetases Rovena Gashi për veprën penale:

“Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, në formën e deklarimit të rremë, parashikuar nga neni 257/a-2 i Kodit Penal.

Prokurorja Gashi do të jetë e pezulluar deri në përfundim të hetimeve ose gjykimit të procedimit penal të regjistruar pranë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Durrës.

Pezullimi z.Dritan Gina
Prokurori i Përgjithshëm znj.Arta Marku me vendimin nr.141, dt. 11-05-2018, bazuar në nenet 148/d pika 4, gërma “b” dhe 179 pika 7 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë; në nenet 151, pika 1, gërma “b” dhe pika 2 gërma “b”; 155 dhe 160, pika 2, gërma “c”, të ligjit nr. 96/2016, “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, vendosi:

Pezullimin nga detyra të prokurorit në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, z.Dritan Gina.

Pezullimi i z.Gina u vendos pasi Kryeprokurorja u njoh me informacionin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Durrës në lidhje me ngritjen e akuzës dhe marrjen në cilësinë e të pandehurit të shtetasit Dritan Gina për veprën penale:

“Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, në formën e deklarimit të rremë, parashikuar nga neni 257/a-2 i Kodit Penal.

Prokurori Gina do të jetë i pezulluar deri në përfundim të hetimeve ose gjykimit të procedimit penal të regjistruar pranë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Durrës.

Artikulli paraprakTENTOI TË VRASË DY VËLLEZËR NË PIKËN E BASTEVE, DËNOHET ME 24 VITE BURG
Artikulli tjetër“LAND ROVER” PËRPLASET ME “OPELIN”, PLAGOSET 16 VJEÇARI