Një efektiv policie në Lezhë, pretendon se është sulmuar me armë zjarri sapo kishte dalë nga banesa për të shkuar në punë. Sipas kallëzimit të 23-vjeçarit Dhurim Metko banues në Laç, ngjarja ka ndodhur rreth ores 21:00 të mbrëmjes te së henës ku sapo ka dalë nga banesa, ka parë në rrugë, në vendin e quajtur “Rruga e Sanxhakut”, 2 shtetas të armatosur, të cilët, sapo e kanë parë kanë qëlluar me armë zjarri, në ajër.Në një situatë të tillë, punonjësi i Policisë është kundërpërgjigjur, duke qëlluar nga brenda automjetit të tij, me armën e shërbimit, por nga të shtënat fatmiresisht nuk pati përsona të lënduar.

Menjëherë pas njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje, si dhe është ngritur një grup i posaçëm hetimor, i cili po punon intensivisht, në drejtimin e Prokurorisë së Lezhës, për të fiksuar çdo provë qe do të çojë në sqarimin e rrethanave dhe të mekanizmit të ngjarjes, si dhe në zbardhjen e së vërtetës mbi këtë rast.

Aktualisht, nga këqyrja e vendit të ngjarjes rezulton se është dëmtuar automjeti i punonjësit të Policisë, nga qitjet me armë zjarri të kryera nga vetë punonjësi, nga brenda automjetit. Në vendngjarje nuk konstatohen gëzhoja, gjurmë apo prova të tjera materiale që mund t’iu përkasin shtetasve të kallëzuar nga punonjësi i Policisë, ndërsa me qëllim hetimin e plotë të rastit dhe sqarimin e rrethanave të tij, te grupi i posaçëm hetimor është përfshirë dhe struktura vendore e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore.

Artikulli paraprakSHKODËR, SHOFERËT KËRKOJNË RIPARIMIN E RRUGËS
Artikulli tjetërSHTOHEN RASTET E DHUNËS NË LEZHË