Partia Socialiste do të nxjerrë më vete një fond prej 70 milion lekësh që do të shkojnë për banorët e prekur nga tërmeti në qarkun e Korçës.

Lajmi është njoftuar nga Zëdhënësja e qeverisë, Elisa Spiropali në përfundim të mbledhjes së Kryesisë së PS. Ky fond do të shkojë në ndihmë të banorëve të Floqit, Qafëzezit dhe Vidohovës, të cilëve iu dëmtuan banesat për shkak të tërmeteve që prekën këtë zonë.

“Së pari, ne vendosëm që Partia Socialiste t’i bashkohet fondit të solidaritetit për banorët e prekur nga tërmeti në Qarkun e Korçës dhe konkretisht të alokojë një fond prej 70 milion lekësh.

Bashkitë socialiste së bashku me biznesin, të cilit i është thirrje për t’u bashkuar në këtë fushatë solidariteti kanë kontribuar dhe do të ndërtojnë shtëpitë e banorëve të Floqit, të Qafëzezit, Vidohovës apo fshatrave të tjerë. Partia Socialiste ka vendosur t’i bashkohet kësaj fushate duke hequr nga fondet e saj dhe duke ia shtuar fondin e solidaritetit” tha Spiropali.

Kujtojmë se një kërkesë për fonde e bëri pak ditë më parë kryeministri Rama në një takim me banorët e Tiranës ku thoshte se duhej të kontribuonin edhe bashkitë socialiste me së paku një shtëpi të ndërtuar për çdo bashki.

Ndërkohë kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj i është përgjigjur kësaj thirrje madje duke thënë se do të kontribuojë në ndërtimin e 4 banesave.

Kësaj kërkese i është përgjigjur edhe Bashkia e Elbasanit, e cila ka kontribuuar me një fond prej 3 milion lekësh. Gjithashtu, edhe Bashkitë e Librazhdit, Gramshit dhe Belshit me një fond prej 2.6 milion lekësh. Ndërkaq, Bashkia e Prrenjasit e drejtuar nga LSI, Miranda Rira nuk i është bashkuar kësaj nisme, duke argumentuar se nuk ka fonde.

Listës së Bashkive që kanë kontribuuar me fond për banorët e prekur nga tërmeti është edhe Vlora. Mësohet se ditën e sotme është mbledhur me procedurë të përshpejtuar Këshilli Bashkiak, ku me 22 vota ‘pro’ është rëndë dakord që të akordohet një fond prej 3 milion lekësh.

Bashkia e Elbasanit është solidarizuar me banorët e prekur nga tërmeti në Korçë duke vendosur akordimin e gjysmës së fondit të emergjencave si ndihma për ta.

Këshilli Bashkiak i Elbasanit miratoi një fond prej 3 milion lekësh të cilat do t’i kalojnë Bashkisë së Korçës për rindërtimin e shtëpive të shembura.
Në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, kryetari i bashkisë, Qazim Sejdini ka thënë se bashkia e Elbasanit gjithmonë ka qenë e gatshme dhe është solidarizuar në raste të tilla emergjence.

Fondi i akorduar do të ndihmojë kryesisht zonën e Floqit, por edhe zona të tjera të prekura si në Devoll dhe Ersekë.

Këtij solidarizimi i është bashkuar edhe Bashkia e Librazhdit e cila akordoi një fond prej 2.6 milion lekë të reja e po ashtu bashkitë e Gramshit dhe të Belshit. Bashkia e Prrenjasit shprehet se nuk ka fonde ndërsa Bashkia e Cerrikut thotë se nuk e ka një udhëzim të tillë.

Artikulli paraprakPLAGOSET ME ARMË 13 VJEÇARI SHQIPTAR, TENTOI TË MBROJË NËNËN NGA I FEJUARI ITALIAN
Artikulli tjetërBASHA: NUK DO TË KETË ZGJEDHJE MË 30 QERSHOR, NUK DO TA SHKARKOJË KUSH PRESIDENTIN