Krijohet Ministria e Rindërtimit. Kryeministri Edi Rama i ka propozuar presidentit Ilir Meta emërimin e Arben Ahmetajt si ministër shteti për Rindërtimin. Bashkangjitur propozimit që i është dërguar kreut të shtetit, Rama shkruan se programi i Rindërtimit dikton hapjen e një vendi të posaçëm në tryezën e Këshillit të Ministrave, për koordinimin e të gjitha institucioneve vendase e ndërkombëtare që lidhen me këtë program.

“Programi i Rindërtimit dikton hapjen e një vendi të posaçëm edhe në tryezën e Këshillit të Ministrave,ku një ministër i ngarkuar ekskluzivisht me koordinimin e të gjitha institucioneve vendase e ndërkombëtare që lidhen me këtë program,të ndjekë orë e minutë zbatimin e Programit”, shkruan Rama.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i presidencës. Zëdhënësi Tedi Blushi ka njoftuar se presidentit Ilir Meta ka dekretuar menjëherë Ahmetaj në pozicionin e propozuar nga kreu i qeverisë.

“Asnjë sekondë vonesë për dekretimin e ministrit të ri të Shtetit për Rindërtimin”, shkruan Blushi.

Unifikimi i qëndrimit të dy institucioneve, vjen pas disa muajsh përplasje dhe akuza të ndërsjella, pikërisht në kuadër të tragjedisë që shkaktoi tërmeti i 26 Nëntorit. Ministria e Rindërtimit tashmë do të koordinojë punën e të gjithë mekanizmave të angazhuara për rimëkëmbjen e ndërtesave që u shembën pas tërmetit. Veç fondeve të shtetit, donacioneve të OJF-ve, një mbështetje e madhe ka ardhur edhe nga faktori ndërkombëtar.

Komisioni Europian ka vendosur të organizojë në Tiranë konfrencën e donatorëve, në fund të Janarit të vitit të ardhshëm, periudhë e cila përkon edhe me përpilimin e faturës së dëmeve e cila do të jetë gati në datë 16 Janar.

Artikulli paraprakNIS KAMPIONATI I TENISIT “SHKODRA INDOOR”
Artikulli tjetërMETA EMËRON SHEMSI PRENÇIN KËSHILLTAR TË POSAÇËM PËR EMERGJENCAT CIVILE