Mes tensioneve, përplasjeve dhe një debati maratonë prej 14 orësh, Kuvendi miratoi pak pas mesnate reformën e re administrativo-territoriale. Me 85 vota pro, socialistët i hapën rrugën hartës së re të Shqipërisë me 46 bashki, 11 vite pas ndarjes së fundit.

I pranishëm në seancë vetëm për të marrë pjesë në votim ishte edhe kryeministri Edi Rama. Por surpriza ishte vota pro e deputetit socialist Erion Braçe, i cili kundërshtoi ashpër projektligjin. Pak sekonda para votimit, në sallë u shfaq edhe ish-zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, e cila nxiti më shumë tensionet me opozitën. Gazment Bardhi hodhi ujë në drejtim të saj, ndërsa deputetë të tjerë të opozitës qëlluan me shishe në drejtim të kryeministrit Rama. Nuk munguan as vezët.

Një nga zërat më kritikë ndaj reformës ishte Erion Braçe. Për rreth 19 minuta në foltore, deputeti socialist kundërshtoi mënyrën se si ishte hartuar ndarja e re, duke theksuar se ndryshimet prekin drejtpërdrejt jetën e mijëra qytetarëve.

“Unë mendoj se qëndrueshmëria e reformave vjen nga parimet. Parimet janë shkelur, nuk janë respektuar njësoj kudo në këtë hartë. Ne me këtë ligj sot ndryshojmë jetën e njerëzve në 15 bashki. Madje ndryshojmë jetën e njerëzve edhe në bashkitë e tjera që ato po i përthithin”, tha Braçe.

Pavarësisht kundërshtimeve, Braçe në fund ngriti kartonin jeshil. Pas seancës, ai u tha gazetarëve se arsyet e ndryshimit të qëndrimit do t’i shpjegonte gjatë ditës së premte.

“Jam kundër, do e sqaroj nesër”, tha Braçe teksa po largohej nga Kuvendi.

Braçe kishte shprehur kritika edhe në mbledhjen e grupit të PS, ku ishte përplasur ashpër me kryeministrin Edi Rama, i cili e kishte paralajmëruar se nëse do të votojë kundër, do të largohej nga grupi. Qëndrim ndryshoi deputeti socialist Vullnet Sinaj, i cili po ashtu ngriti kartonin jeshil në seancë.

Bashkitë që shkrihen
Maliq, Dimal, Cërrik, Divjakë, Përrenjas, Patos, Belsh, Rrogozhinë, Klos, Selenicë, Poliçan, Memaliaj, Fushë-Arrëz, Këlcyrë dhe Libohovë

SHKARKO TANI
Artikulli paraprakSHOQËROHEN TETË PROTESTUES NË KOMISARIAT, POLICIA NJOFTIM ZYRTAR PËR TUBIMIN PRANË KUVENDIT: KRYEN VEPRIME TË DHUNSHME
Artikulli tjetërKUSHTE ATMOSFERIKE TË PAQËNDRUESHME DHE SHTRËNGATA AFATSHKURTRA, PARASHIKIMI I MOTIT PËR KËTË TË PREMTE