Terroristëve do t’u bllokohet pasuria nga Ministria e Financave .Ligji më shumë fuqi për ‘Financat’ dhe SPAK

Prokuroria e Posaçme Anti- Korrupsion nuk do të ketë rol vetëm në reformën në drejtësi por dhe në zbulimin e terroristëve. Report Tv ka zbardhur ligjin e ri “Për masat kundër financimit të terrorizmit” i cili i jep akses drejtuesit të kësaj prokurorie tek informacionet apo të të dhënave në nivel kombëtar e ndërkombëtar mbi këtë fenomen mjaft të rrezikshëm të përhapur dhe në vendin tonë kohët e fundit. Ligji, pjesë e paketës së reformës në drejtësi, i jep më tepër pushtet ministrit të Financave. Në variantin e vjetër ai mundej thjesht të propozonte në qeveri listën e personave të dyshuar si financues terrorizmi. Më pas ishte kabineti qeveritar që vendoste t’i përfshinte ose jo këta persona në listën e zezë pas 15 ditësh. Tashmë ministri mundet të veprojë edhe pa vendim qeverie, por dhe të bllokojë paratë e këtyre personave. “Ministri i Financave mund të urdhërojë, pa njoftim paraprak, bllokimin e përkohshëm të fondeve dhe të pasurive të tjera, përpara nxjerrjes së vendimit përkatës të Këshillit të Ministrave. Kur kjo është e vetmja mënyrë për të parandaluar shmangien nga zbatimi i masave të parashikuara në këtë ligj duhet të njoftojë Prokurorin e Përgjithshëm dhe Drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme, për efekt të procedimit të mundshëm penal“- thuhet në ligj. Ai autorizon ministrin që në raste dyshimi për shuma të mëdha financimi terrorizmi të thërrasë një komitet të posaçëm këshillimor me drejtues të lartë të Ministrisë Brendshme, të Jashtme, Drejtësisë, mbrojtjes, Prokurorisë së Përgjithshme, Prokurorisë së Posaçme, Shërbimit , Bankës së Shqipërisë dhe Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të Parave.

Artikulli paraprakPAPA FRANCESKU VENDOS TË THYEJ RUTINËN. DEL PËR TË BLERË KËPUCË NË ROMË
Artikulli tjetërRIKTHEHET ‘LUFTA E FTOHTË’, MBYLLET KOMUNIKIMI MES SHBA-SË DHE RUSISË