Ka përfunduar historia më shumë se 3-vjeçare e një atentati të supozuar ndaj deputetit Tom Doshi.

Por, ajo që ra në sy është fakti që përveç Tom Doshit, që u shpall i pafajshëm, burgut i kanë shpëtuar edhe dy të pandehurit e tjerë, Mark Frroku dhe Durim Bami, ndonëse janë shpallur fajtorë.

Frrokut iu pezullua dënimi me 1 vit e 4 muaj në shërbim prove, ndërsa Durim Bami gjatë paraburgimit e ka tejkaluar masën e dënimit dhe për rrjedhojë quhet që e ka shlyer dënimin.

Sipas gjykatës, Frroku dhe Bami kanë fabrikuar tentativën e atentatit ndaj Doshit dhe për këtë arsye kanë konsumuar veprën penale të kallëzimit të rremë. Ndërsa Tom Doshi ka qenë në rolin e personit që i rrezikohej jeta dhe veprimet e tij denoncuese justifikohen.

Pas vendimit, avokatët mbrojtës të Tom Doshit dhe Mark Frrokut ndanë mendime të kundërta.

Tonin Prendi, avokati i Frrokut deklaroi: “Më ka habitur ky vendim i gjykatës, pasi klienti im nuk ka konsumuar asnjë vepër penale dhe se nuk ka patur fare dijeni për çfarë është pretenduar nga akuza”.

Ndërsa Vladimir Meci, avokat i Doshit u shpreh: “Ishte një vendim i drejtë i gjykatës, madje prokuroria nuk duhej ta kishte sjellë fare këtë dosje në gjykatë, është një pafajësi e merituar”.

Artikulli paraprakPËRLESHJE ME THIKA E LEVA NË FAMILJEN SHQIPTARE NË ITALI
Artikulli tjetërJU MORI NGA 250 € DHE I LA NË MES TË RRUGËS, KAPEN 6 KURDË, MES TYRE DY FËMIJË E NJË GRUA