Policia ka arrestuar dy shtetas marokenë, të cilët u përpoqën të trafikonin emigrantë drejt territoreve spanjolle në Afrikën Veriore, me anë të makinave dhe valixheve.

Këto dy incidente përkuan me një përpjekje masive arratisjeje të emigrantëve afrikanë që jetojnë ilegalisht në Marok, synimi final i të cilëve është të shkojnë drejt Europës. Si pasojë e përplasjes mes rojeve kufitare dhe emigrantëve, shumë persona kanë mbetur të plagosur. Policia ka arrestuar dy shtetas marokenë që u përpoqën të trafikonin emigrantë në territorin spanjoll të Ceutas në Afrikën Veriore – dy të fshehur në një makinë dhe një në valixhe. Kur policia kontrolloi një makinë të hënën, një person u gjet i fshehur në panelin e aparaturave dhe një tjetër në ndenjësen e pasme. Burri dhe gruaja, që mendohet se vijnë nga Guinea, morën menjëherë ndihmën e parë për shkak të mungesës së ajrit. Ndërkohë, një i ri afrikan nga Gaboni, është gjetur i fshehur në valixhen e një gruaje marokene 22-vjeçare që po përpiqej ta trafikonte atë drejt Ceutas. Këto incidente përkuan me një përpjekje masive nga emigrantët afrikanë për të sulmuar murin kufitar 6 metra të lartë që ndan Ceutan nga Maroku. 50 roja kufitare marokene dhe 5 roja spanjolle u plagosën kur 1.100 emigrantë u përpoqën të kalonin kufirin të dielën. Asnjë prej tyre nuk ia doli dhe 2 persona mbetën të plagosur, teksa përpiqeshin të ngjisnin murin. Ata janë dërguar menjëherë në spital, ndërkohë që sipas zyrtarëve, njëri prej tyre ka humbur njërin sy. Një sulm i ngjashëm në 9 dhjetor përfshiu më shumë se 400 emigrantë afrikanë. Të tilla përpjekje nga emigrantët afrikanë që jetojnë ilegalisht në Marok, por që kërkojnë të shkojnë drejt Europës, nuk janë të pakta. Melilla, një tjetër territor spanjoll në Afrikën Veriore, është shënjestruar gjithashtu nga emigrantët. Këto dy territore janë tokat e vetme europiane në kontinentin afrikan. Shumica e emigrantëve që përpiqen të arratisen, rikthehen në Marok pasi kapen nga policia, ndërkohë që ata të cilët ia dalin të kalojnë murin, riatdhesohen ose lirohen.

Artikulli paraprakAUTORI I MASAKRËS NË TURQI MUND TË JETË UJGUR, ARRESTOHET GRUAJA E TIJ
Artikulli tjetërNGA E PREMTJA TROKET I FTOHTI SIBERIAN, TË DIELËN TERMOMETRI SHËNON -11 GRADË