Mijëra iranianë kanë kaluar natën e dytë në qiell të hapur dhe në temperatura të acarta, pas tërmetit shkatërrues 7.3 ballë që goditi perëndimin e vendit. Më shumë se 430 persona humbën jetën dhe rreth 7.000 të tjerë u plagosën kur tërmeti lëkundi kufirin mes Iranit dhe Irakut mbrëmjen e së dielës.

Për pasojë, Irani ka shpallur ditën e martë si ditë zie kombëtare, ndërkohë që presidenti i vendit Hassan Rouhani pritet të vizitojë rajonin e prekur. Sidoqoftë, organizatat ndërkombëtare mediatike nuk po lejohet të vizitojnë zonat e prekura nga tërmeti. Media shtetërore iraniane raportoi se mijëra të mbijetuar e kanë kaluar natën në kampe të improvizuara ose në qiell të hapur.

“Është një natë e ftohtë dhe ne kemi nevojë për ndihmë. Autoritetet duhet të nxitojnë të na ndihmojnë,” u shpreh një grua e re e mbetur tashmë e pastrehë. Sipas mediave, rreth 12.000 godina banimi janë shembur tërësisht. Ndërkaq, shumë persona, shtëpitë e të cilëve nuk u shkatërruan nga tërmeti, i tremben rikthimit për shkak të dhjetëra tronditjeve të tokës. Një agjenci ndihme deklaroi se 70.000 persona kanë nevojë për strehim urgjent ndërkohë që Organizata e Kombeve të Bashkuara ka ofruar asistencë në rast se kërkohet.

Artikulli paraprakMUSINE, MUZA IME
Artikulli tjetërKONKURSI I PRAKTIKAVE MË TË MIRA TË BASHKISË