Ekipi mjekësor i Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” ka rënë pre e dhunës së ushtruar mbrëmjen e të së mërkurës. Familjarët e një pacienteje të shtruar kanë dhunuar mjekët dhe infermieren e turnit në Urgjencën e Sëmundjeve të Brendshme.

Ndaj këtij akti ka reaguar Ministria e Shëndetësisë, duke e cilësuar të shëmtuar dhe të dënueshëm. Ministria e Shëndetësisë i bën më tej apel opionit publik, për të mirëkuptuar dhe përkrahur bluzat e bardha gjatë punës së tyre.

“Personeli shëndetësor, në mënyrë të veçantë ai i Urgjencave është në shërbim të qytetarëve natën dhe ditën, për të dhënë ndihmën e parë në kohën e duhur, duke shpëtuar jetë. Vetëm në urgjencat e QSUT paraqiten mesatarisht rreth 315 mijë raste në vit.

Një volum pune i jashtëzakonshëm që përballohet me përgjegjshmëri dhe profesionalizëm nga ekipet e urgjencave 24/7. Kujdesi shëndetësor që duam ka në themel frymën e besimit, ofrimin e kujdesit të pakushtëzuar, pavarësisht statusit social të atij që ka nevojë, por njëherësh, moscënimin dhe respektin ndaj figurës së mjekut dhe infermierit.

Duke inkurajuar organet kompetente të zbardhin sa më parë ngjarjen, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale bën apel opinionit publik, të mirëkuptojë dhe përkrahë bluzat e bardha gjatë punës së tyre, të cilët pavarësisht situatave të krijuara,

në asnjë rast nuk neglizhojnë misionin human, atë të dhënies së ndihmës së parë dhe shpëtimin e jetëve njerëzore”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Shëndetësisë.

Artikulli paraprakAKSIDENT NË VLORË, PLAGOSET SHOFERJA
Artikulli tjetërME ÇIFTE KUNDËR VËLLAIT TË TIJ, ARRESTOHET 58 VJECARI