Tabelat elektronike dhe orientuese të vendosura në të dy anët e urës së re të bunës, dikur në funksion, aktualisht janë të dëmtuara prej më shumë se 1 viti.

Sezoni turistik ka sjellë në Shkodër një numër të konsiderueshëm turistësh vendas dhe të huaj, megjithatë ata që i drejtohen Shirokës apo pikës së kalimit kufitar të Muriqanit përballen me dy tabela të amortizuara në të dy anët e urës që vetëm njëra prej tyre tregon se furnizohet me energji.

Një shqetësim i tillë është ngritur disa herë nga anëtarët e Këshillit Bashkiak të Shkodrës, të cilët kërkojnë riparimin e këtyre tabelave që më parë kanë qenë jo vetëm në funksion të dhënies së informacionit, por edhe kanë shërbyer si tabela orientuese për kufizimin e shpejtësisë.

Ura e re e Bunës shërben si një nyjë lidhëse mes Shkodrës dhe pikës kufitare të Muriqanit, megjithatë nuk i është kushtuar vëmendja e nevojshme. Ky investim të cilit i janë dëmtuar jo vetëm tabelat, por shtresa asfaltike së bashku me disa elemente të sinjalistikës vertikale, i ka kushtuar qeverisë shqiptare mbi 7 milionë dollarë.

Që në fillimet e tij, investimi kishte si synim ofrimin e një infrastrukture moderne në hyrje të Shkodrës, megjithëse me kalimin e viteve nuk rezultoi si e tillë.

Artikulli paraprakKËRKOHET AMBULANCA, POR AJO NUK NDEZ ?!
Artikulli tjetërPS, FESTON FITOREN DHE REZULTATIN NË SHKODËR