Kjo vajzë është Sofi Mogja. Një 29 vjeçare nga Franca e cila është një prej atyre jelek verdhëve që ka protestuar bashkë mijëra bashkëqytetar francez.

E ndodhur për pak ditë në Shkodër bashkë me të fejuarin e saj, një djalë nga Shkodra Sofi tregon se ajo ka dalë në protestë për shkak se qytetarët nuk kanë duruar më që paratë të shpërndahen vetëm në duart e personave të pushtetshëm…

“Po kam marrë pjesë në protestat e jelek verdhëve. Kam qenë aty ashtu si mijëra francez të tjerë edhe pse televizionet në Francë janë munduar që ta zvogëlojnë këtë protestë në favor Presidentit Macron.

Ne kemi dalë në protestë sepse në Francë në gjithë këto vite janë bërë shumë gjëra që njerëzit i kanë neglizhuar por tashmë ka ardhur fundi edhe ishte një situatë ku qytetarët nuk mund të durojnë më.

Paratë janë sjellë vetëm në duart e personave me shumë pushtet dhe ato që janë afër tyre dhe kjo nuk mund të lejohet më”.

Sofia, e punësuar si rrobaqepëse në Francë thotë se protestat e jelek verdhëve që kanë djegur Parisin dhe ndonjë qytet të tjetër nuk do të ndalen derisa Presidenti Macron apo qeveria jo vetëm të tërhiqen por edhe të vendosin duke marrë parasysh çdo vendimarrje të popullit.

“Pavarësisht se Presidenti Macron ka premtuar disa gjëra dhe do zhvillojë takime me sindikalistët me idenë për t’i dhënë fund protestës, qytetarët nuk do e lejojnë një gjë të tilë deri në plotësimin e të gjitha kërkesave që kemi.

Protestat do të vijojnë pa ndërprerje besoj deri në momentin që në Parlament të vendoset ashtu siç duan qytetarët dhe jo siç do qeveria apo Presidenti. Çdo ligj që do miratohet fillimisht duhet që të ketë pëlqimin tonë përndryshe do vijojmë me protesta”.

Çmimi i karburantit nuk është arsyeja e vetme e protestave që kanë pushtuar Francën.

“Arsyet e protestave në Francë janë të shumta. Nuk është vetëm çmimi i karburantit por edhe disa çështje të tjera. Përshembull lidhur me ekologjinë dhe mjedisin Macron ka premtuar ndryshime dhe përmirësime por në fakt asgjë nuk ka ndryshuar dhe vazhdon të jetë situata njësoj, problematike për ne.

Mbi të gjitha taksat janë të larta vetëm për t’i marrë sa më shumë para popullit, si e si për të zhvatur qytetarët. Taksat janë në rritje dhe pavarësisht se janë rritur paratë nuk janë investuar nga shteti aty ku qytetarët dëshirojnë. Është investuar shumë pak dhe këtë s’kemi pse e lejojmë”.

Sofia ka një mesazh edhe për shqiptarët. Ajo thotë se duhet të protestojnë duke qenë se në Shqipëri taksat janë të larta dhe ekonomia e dobët. Protesta është e vetmja mënyrë për një të ardhme më të mirë.

Sipas 29 vjeçares nga Franca Shqipëria është një vend i bukur por ka një politikë që nuk mendon për popullin dhe këtë qytetarët s’duhet ta lejojnë.

“Natyrshëm që nëse taksat janë të larta dhe ekonomia e dobët atëherë shqiptarët duhet që të protestojnë. Në momentin që disa shtete në Europë janë në sheshe kundër qeverive të tyre atëherë edhe shqiptarët duhet që ta bëjnë këtë për të ndryshuar jetën dhe të ardhmen tuaj në mënyrë që të jeni më mirë.

Këtu thonë që Shqipëria është vend i bukur por në fakt e keni të keqen brenda sepse s’ka ekonominë e duhur. Shqipëria më pëlqen shumë si vend.

Njerëzit janë shumë xhentil dhe të sjellshëm. Për turistët është një vend i mirë për të kaluar pushimet sepse i ka të gjitha, malin, liqenin, detin, lumenj, alpe dhe çdo gjë tjetër me një klimë të mirë. Nuk më pëlqen shumë politika në Shqipëri.

Kam dëgjuar shumë për politikën shqiptare që nuk mendon fare për popullin por vetëm për veten e tyre dhe kjo duhet të ndryshojë në mënyrë që qytetarët shqiptar të jetojnë më mirë”.

Sofi Mogja është për herë të dytë në Shkodër ndërsa ka vizutuar shumë pjesë të ndryshme të qytetit bashkë me alpet e Dukagjinit apo edhe qytete të tjera të Shqipërisë.

29 vjeçarja kaloi Krishtlindjen në Shkodër ndërsa për ndërrimin e viteve do jetë në Francë dhe më pas sërish në shesh për të vijuar protestat si e vetmja mënyrë për një ndryshim pozitiv.

Artikulli paraprakINFO PLUS – 27.12.2018
Artikulli tjetërGATI NGRITJA E GJYKATËS ANTIKORRUPSION, KLGJ NIS PËRZGJEDHJEN E KANDIDATËVE GJYQTARË