Këto janë pamjet e Qendrës Kulturore “Gjin Shkoza” në Vau Dejës e cila ka pësuar një tjetër shembje të konsiderueshme në shumë pjesë të saj. E lënë prej vitesh në harresë sa i përket një investimi përfundimtar kjo qendër kulturore ka përfunduar në këtë mënyrë duke bërë që tavani të bie pothuajse plotësisht.

Prej kohësh është pritur dhe kërkuar që të ketë ndërhyrje në këtë qendër por deri më tani nuk ka ndodhur dhe tashmë kjo godinë vijon që të degradohet gradualisht ndërsa ditët e fundit ka pësuar këtë rënie të një pjesë të madhe të tavanit.

Në fakt prej vitesh qendra kulturore “Gjin Shkoza” në Vau Dejës ka nisur që të amortizohet por më përpara ka patur disa ndërhyrje të vogla duke u munduar që ta mbajnë por tashmë kjo godinë ka dalë jashtë funksionit. Që nga viti 2018, pra prej 3 vitesh qendra kulturore “Gjin Shkoza” është e mbyllur për shkak të kësaj gjendje në të cilën ka përfunduar dhe rrezikshmërisë së saj për të zhvilluar aktivitete të ndryshme.

Më përpara qendra kulturore në Vau Dejës ka qenë një pikë e rëndësishme e zhvillimit të artit dhe kulturës për artistët e asaj zone dhe aktivitetetet që zhvilloheshin nga shkollat apo edhe institucione e projekte të ndryshme zhvillimore. Prej 3 vitesh dyert e kësaj godine qëndrojnë të mbyllura ndërsa tashmë çdo pjesë e saj si shkak i harresës sa vjen e dëmtohet gjithnjë e më shumë.

Prej kohësh flitet për një projekt për rikonstruksionin e qendrës kulturore “Gjin Shkoza” në Vau Dejës por deri më tani nuk ka ende diçka konkrete për t’ia ndryshuar imazhin. Kjo ndërtesë ka një hapësirë të konsiderueshme dhe është ndër më të mëdhatë në zonën e Vau Dejësit por deri më tani nuk është parë e arsyeshme që të ndërhyhet.

Është ende e paqartë nëse në të ardhmen do të ketë një projekt për rikonstruksionin në qendrën kulturore “Gjin Shkoza” në Vau Dejës për ta rikthyer edhe njëherë në lavdinë e dikurshme.

Artikulli paraprakVRAU MOTRËN, HESHT NË GJYKATË, “ARREST ME BURG” AUTORIT
Artikulli tjetërSHKARKOHET ADEMI, SHOQATA E BASHKIVE ZGJEDH PJERIN NDREU