Vllaznia do të luajë mbrëmjen e së enjtes sfidën e parë të turit të parë të UEFA Conference League ndaj Linfield, e cila do të zhvillohet në stadiumin e Belfastit, kryeqytetit të Irlandës së Veriut, duke nisur nga ora 20:45 me orën tonë. Sfida e parë do të jetë mjaft përcaktuese dhe natyrisht pritet që ekipi kuqeblu të japë maksimumin e vet për të marrë një rezultat pozitiv.

Ndërkohë, UEFA ka përcaktuar edhe arbitrat e kësaj ndeshje të parë në mes këtyre dy skuadrave. Kështu, të katër “xhaketat e zeza” që do të vendosin drejtësi për këtë sfidë, do të jenë nga Luksemburgu. Kryesor do të jetë Ivo Torres, ndërsa asistentë do të jenë Joaquim Da Silva dhe Tom Hansen.

Në këtë ndeshje, arbitër i katërt do të jetë Antonio Ferreira Martins. Ndërkohë, në ndeshjen mes Linfield dhe Vllaznisë nuk do të ketë prani të sistemit VAR, pasi UEFA nuk e parashikon një gjë të tillë që në turin e parë të Conference League.

Në fakt, pavarësisht problemeve që ka patur së fundmi Vllaznia në ndërtimin e skuadrës, shoqëruar me largime dhe afrime futbollistësh, sigurisht që do të tentojë fitoren në këtë ndeshje të parë për të hedhur në këtë mënyrë një hap të sigurtë për kualifikimin për në turin e dytë. Ndërkohë, ndeshja e kthimit do të luhet një javë më pas, pra me 20-korrik në stadiumin “Loro Boriçi”.

Artikulli paraprakSIGURIA NË PLAZHE, TASK FORCA NË TERREN
Artikulli tjetër“FESTA E ALPEVE” NË THETH