Nuk ka prodhuar fitues supersfida e javës së 21-të, mes Vllaznisë dhe Partizanit, që u mbyll në barazim 1-1. Ndeshja ishte me raste të shumta shënimi nga të dyja ekipet, por në fund ato ndanë pikët. Në këtë duel vendosën dy golat e shënuar në pjesën e parë të takimit. Gueye zhbllokoi sfidën, me golin e shënuar në minutën e 23-të, ndërsa shkodranët barazuan me Balajn në minutën e 42-të me penallti.

Pjesa e dytë nuk kishte gola dhe gjithçka përfundoi në “paqe” me rezultatin 1-1. Pas ndeshjes, trajneri i Vllaznisë, Qatip Osmani, deklaroi se skuadrës së tij i mungoi qarkullimi i topit, ndërsa tha se rezultati nuk ka përse të sjellë shqetësim te shkodranët.

Nga ana tjetër, trajneri i Partizanit, Orges Shehi tha se skuadra e tij luajti vetëm për fitore, gjë të cilën e kërkoi edhe në pjesën e dytë.

Ndërkohë, kapiteni i Vllaznisë, Bekim Balaj, tha se pavarësisht dëshirës së mirë për të marrë tre pikët, edhe një barazim ishte pozitiv ndaj një skuadre si Partizani.

Pas kësaj ndeshje, Vllaznia mban vendin e tretë me 33-pikë, ndërsa Partizani vendin e dytë me 36-pikë.

Artikulli paraprakTEATRI “MIGJENI” PRET “BILBILAT E VEGJËL KËNDOJNË”
Artikulli tjetërSHKODËR, DHUNOI BASHKËSHORTEN, NË PRANGA 26-VJEÇARI