Vllaznia por edhe shumë skuadra të tjera në kategorinë superiore kanë mbetur të zhgënjyera sepse mesfushori Marko Çetkoviç ka vendosur të firmosë një kontratë me Sarajevën në Bosnje Hercegovinë.

Ish-futbollisti i Laçit u mendua se mund të veshte fanellën e Vllaznisë sepse ishte shumë afër por mesfushori ka vendosur që të firmosë për Sarajevën. Në këtë mënyrë Vllaznisë i ikën nga duart një mundësi shumë e mirë. Çetkoviç nuk është i vetmi sepse një tjetër lojtar që nuk firmosi me kuqeblutë është mbrojtësi Polizoi Arbri. Beratasi ka kaluar tek Kukësi duke prerë mundësinë që të jetë sërish futbollist i Vllaznisë. Deri në këto momente një situatë jo shumë e mirë është edhe për dy mbrojtësit e tjerë Cicmil dhe Vrapi. Aq sa duken afër po aq janë edhe larg. Lojtarët në fjalë ende nuk kanë gjetur gjuhën e përbashkët për anën financiare me drejtuesit e Vllaznisë dhe janë në pritje dhe bisedime edhe me skuadra të tjera dhe nuk përjashtohet një largim i tyre nga Shkodra. Në rast se ndodh kështu drejtuesit dhe stafi teknik do të kenë shumë mundësi për të gjetur futbollistë të tjerë për t’i zëvendësuar. Ajo që po mban peng ndërtimin e një Vllaznia tjetër nga ajo e sezonit të kaluar ku diskutohej mbijetesa, janë sërish financat. Kuqeblutë nuk kanë një buxhet të konsiderueshëm për të joshur lojtarët cilësor. Edhe pse mundësitë nuk janë shumë të mëdha drejtuesit po mundohet që të sjellin në Shkodër lojtar që mund të jenë të vlefshëm për trajnerin Armando Cungu dhe që bëjnë diferencën. Gjithçka mbetet në kuadrin e bisedimeve ndërsa ditët kalojnë e lojtarë si Çetkoviç apo Arbri firmosin për ekipe të tjera. Dëshira për të ndërtuar një Vllazni tjetër është e madhe por duket se mundësitë janë të vogla.

Artikulli paraprakRESHJET NË VEND, RRITET NDJESHËM NIVELI NË HEC-e
Artikulli tjetërKOMISIONI MIRATON REFORMEN NE DREJTESI