Vllaznia e femrave ka bërë detyrën, duke e mbyllur me fitore kampionatin e rregullt dhe duke siguruar vendin e parë të renditjes në prag të ndeshjeve të fazës “Final Four”. Vajzat kuqeblu luajtën në “Reshit Rusi” ndaj Kinostudios ndeshjen e javës së fundit të fazës së dytë, duke fituar me rezultatin e thellë 9-0. Golat në pjesën e parë u shënuan nga Gresa Berisha, Yamada, Boriçi, Gjini me dopietë, Bajraktari dhe Fortesa Berisha. Në këtë mënyrë, pjesa e parë u mbyll me rezultatin 7-0, ndërsa në të dytën, Vllaznia do të shënonte edhe dy gola të tjerë me Fortesa Berishën dhe Lufon. Përfundimisht, 9-0 për skuadrën shkodrane, që merr një tjetër fitore që e rendit atë në vendin e parë në tabelën e klasifikimit pas përfundimit të kampionatit të rregullt.

Pas 18-ndeshjesh kampionat, Vllaznia ka arritur të grumbullojë 49-pikë, teksa tashmë janë në pritje të shortit për të mësuar emrin e kundërshtarit, me të cilin do të ndeshen në gjysmëfinalen e “Final Four”.

Artikulli paraprakSTARTON FESTIVALI I DANCIT NE LEZHE
Artikulli tjetërVLLAZNIA U-19 ZHGËNJEN NDAJ PARTIZANIT