Pavarësisht dyshimeve që shfaqi një ditë më parë trajneri Armando Cungu për nisjen e ekipit drejt Malit të Zi për të zhvilluar atje stërvitjet dimërore, kjo gjë do të realizohet.

Ka qenë vetë klubi shkodran që e ka konfirmuar një gjë të tillë në faqen zyrtare të tij. Kuqeblutë do të nisen drejt Ulqinit brenda dy ditëve të ardhshme dhe do të qëndrojnë atje për 10 ditë ku do t’I japin dorën e fundit përgatitjeve për gjysmën e dytë të sezonit. Fondet e duhura nga kjo gjë janë siguruar tashmë, madje jo vetëm për zhvillimin e fazës përgatitore por edhe për ndërhyrjen në merkato.

Stafi teknik ka tashmë për detyrë të shohë për ndonjë lojtar që mund t’I bashkohet Vllaznisë në merkaton e janarit, pikërisht për të përforcuar ekipin në ato pozicione ku ka nevojë dhe ku janë shfaqur dobësi në gjysmën e parë të sezonit. Një gjë e tillë në fakt është e domosdoshme pasi nga kontigjenti aktual siç dihet janë larguar dy futbollistë, kosovari Hoxha dhe kroati Vaitzer. Vendet e mbetura bosh duhet patjetër të plotësohen me lojtarë të tjerë.

Njëri pritet të jetë shkodran Arsen Hajdari ndërsa do të shikohet sërish mundësia për të gjetur ndonjë sulmues cilësor, ndonëse kjo duket shumë e vështirë. E rëndësishme është që Vllaznia po vijon normalisht me punën dhe përgatitjet për pjesën e mbetur të sezonit në të cilën do të kërkohet padyshim renditja në një pozicion sa më të mirë në kampionat ndërsa objektivi kryesor do të jetë padyshim I fokusuar tek Kupa e Shqipërisë.

Kuqeblutë siç dihet janë në mes tetë ekipeve më të mira të këtij kompeticioni dhe shanset I kanë për të shkuar edhe më tej. Për këtë arsye, ata do të kërkojnë të zhvillojnë një stërvitje sa më të mirë gjatë këtyre ditëve në Ulqin dhe po ashtu, duket shpresuar për gjetjen e ndonjë lojtari cilësor në merkato

Artikulli paraprakMUSLIMANËT PO VRITEN, PERËNDIMI NUK ËSHTË SHEMBULL
Artikulli tjetërMOTI I KEQ PARALIZON EUROPËN