Vllaznia-Flamurtari është ndeshja e cila do të vendos shumë për të ardhmen e të dy ekipeve.

Shkodranët por edhe vlonjatët kanë këtë përballje kokë më kokë, sfidë e cila në fund do të tregojë se cili prej ekipeve do të jetë më larg zonës së ftohtë dhe rrezikut për rënien nga Superliga. Vllaznia vjen në këtë përballje pas 3 humbjesh radhazi dhe moralisht skuadra nuk është në gjendjen më të mirë. Më shqetësuese përpara kësaj ndeshjeje janë edhe mungesat që Vllaznia do të ketë. Më problematik mbetet krahu i djathtë i mbrojtjes ku aktualisht tekniku Cungu nuk ka asnjë mbrojtës të djathtë pas kartonin të tretë të verdhë të Pjeshkës në sfidën ndaj Partizanit. Vllaznia kërkon medoemos fitoren duke qenë se kampionati po shkon drejt fundit dhe diferenca me kundërshtarët është një detyrë shtëpie për kuqeblutë. Sidoqoftë nuk do ta kenë aspak të lehtë sepse edhe vlonjatët nuk vijnë për turizëm në Shkodër. Flamurtari pavarësisht pozicionit të saj është një skuadër me lojtar të mirë që mund ta vendos Vllazninë në vështirësi. Shpesh herë brenda fushës kuqeblutë kanë një ngërç psikologjik që nëse ndodh edhe në sfidën me vlonjatët do të ishte pothuajse një gabim fatal. Shkodranëve nuk i lejohet një hap fals sepse Flamurtari dhe Bylis kërcënojnë në fundin e tabelës duke kërkuar që të kapërcejnë Vllazninë në renditje. Kampionati është vështirësuar dhe u mendua se kuqeblutë e zgjidhën çështjen e mbijetesës por 3 humbjet radhazi bënë që gjendja të mos jetë e stabilizuar. Takimi Vllaznia-Flamurtari është një prej ndeshjeve klasike në futbollin shqiptar dhe këto dy ekipe gjithnjë kanë dhuruar rezultate surprizë përballë njëra-tjetrës. Trajneri Cungu po përgatit ekipin e tij në të gjitha aspektet në mënyrë që të arrihet një 3 pikësh pavarësisht vështirësive. Ndeshja Vllaznia-Flamurtari do të luhet të hënën në ora 16:00 në fushën sportive “Reshit Rusi”.

Artikulli paraprakVIDHEN PLLAKAT E TROTUARIT NË RRUGËN E SHIROKËS
Artikulli tjetërVOLEJ MESHKUJ, VLLAZNIA “OFF”, DY MUAJ PUSHIM