Skuadra e Vllaznisë në volejbollin e meshkujve pas eleminimit në fazën Play Off nga Tirana në ndeshjet gjysmëfinale do t’i nënshtrohet një pushimi të gjatë.

Volejbollistët shkodran do të kenë kohë që të harrojnë këtë sezon në të cilin pretenduan shumë dhe nuk morën asgjë për një sërë arsyesh. Në këtë mënyrë trajneri i Vllaznisë Artan Kalaja bashkë me pjesën tjetër të stafit teknik kanë vendosur për për afro dy muaj skuadra të jetë pushim. Nuk është vetëm harresa e një ëndrre të keqe për volejbollistët kuqeblu arsyeja e këtij pushimi 2-mujor por edhe një sërë arsyesh të tjera. Nga sa mësohet në sezonin e ardhshëm mund të kemi një ekip të ndryshuar nga ai që është aktualisht. Ende nuk ka një ide të qartë dhe përfundimtare se çfarë do të ndodh por nuk përjashtohet mundësia e një strukturimi. Edhe pse ende nuk dihet nëse do të ketë apo jo largime, ndonëse tekniku Kalaja kohët e fundit është treguar kritik me volejbollistët e tij, burime pranë ekipit bëjnë me dije se diçka do të ndryshojë. Një mundësi është afrimi i një brezi të ri volejbollistësh nga ekipi i të rinjve për të nisur me një frymë të re rigjeneruese ndërsa nuk do të ishte çudi nëse disa prej emrave aktual që janë aktivizuar për vite me radhë të mos jenë më pjesë e Vllaznisë së volejbollit. Asgjë nuk është përfundimtare por të gjitha pistat janë të mundshme ndërsa e konfirmuar është se trajneri Kalaja dhe stafi i tij do të mendohet gjatë dhe me maturi se si do ta ndërtojnë skuadrën për sezonin e ardhshëm, se cilat do të jenë objektivat apo edhe plani afatgjatë apo afatshkurtër. Vllaznia në volejbollin e meshkujve ka shumë vite që kërkon një trofe në kupë apo kampionat por deri tani nuk ia ka arritur, kësaj here ishte pranë por pa pritur u eleminuan në kupë nga Teuta dhe nuk mundën të kalojnë Tiranën për të qenë në finale. Brenda skuadrës ka patur edhe debate gjë e cila mund të ketë ndikuar në rezultate duke bërë që tekniku Kalaja të marrë një kohë dy mujore për të vendosur se çfarë do të bëjë deri në tetor kur nis sezoni i ri.

Artikulli paraprakVLLAZNIA-FLAMURTARI, SFIDA QË VENDOS SHUMË NË RENDITJE
Artikulli tjetërSHËNDETI MENDOR, SITUATA NË SHKODËR