Klubi i futbollit Vllaznia sapo ka bërë lëvizjen e fundit duke lënë mbrojtësin Esin Hakaj që të largohet drejt Partizanit ndërsa në tratativa prej ditësh është edhe mesfushori tjetër i talentuar Arlind Kalaja.

Edhe pse kishte edhe 3 vite kontratë, Hakaj duke parë se ka insistuar për t’u larguar nga Vllaznia, drejtuesit e kanë logjikuar që ta lënë lojtarin të largohet në bazë të një marrëveshje. Në fakt këto marrëveshje që arrihen mes klubeve kanë shumë pak transparencë. Të rëndësishmëve janë vitet e shkollimit të këtyre lojtarëve si Hakaj apo Kalaja që do të thotë vitet tek akademia Vllaznia ku janë formuar si futbollistë. Qoftë UEFA dhe FIFA por edhe vetë FSHF kanë të përcaktuar çmimet për vitet e shkollimit për lojtarët e rinj në rastet kur transferohen qoftë në skuadra brenda vendit por edhe jashtë Shqipërisë. UEFA për 17 vjeçarët dhe 19 vjeçarët përcakton mijëra euro që për Vllazninë do të ishin të ardhura të konsiderueshme, ndërsa FSHF ka çmime të tjera më të ulëta për vitet e shkollimit. Në rastin e Hakaj apo edhe lojtarëve të tjerë ndër vite që janë larguar nga Vllaznia brenda dhe jashtë Shqipërisë asnjëherë nuk janë bërë të ditura qoftë shumat e këtyre lëvizjeve por as se si veprohet me çmimet e shkollimit, nëse përfshihen apo jo në kontrata. Në rast se Hakaj shitet nga Partizani në një ekip jashtë Shqipërisë, duhet të ketë një marrëveshje me Vllazninë se me cilin çmim shkolli veprohet, atë të FSHF apo UEFA-s, kjo në rastet kur skuadra që merr lojtarin nuk ka paguar në momentin e parë vitet e shkollimit. Edhe në rastin e mesfushorit Kalaja, edhe pse përflitet dhe vetë klubi e ka lejuar lojtarin më parë që të provohet në Itali, nuk bëhen të ditura nga klubi Vllaznia as se sa janë ofertat dhe as se cilat skuadra janë të interesuara për të. Kjo ka ndodhur vazhdimisht edhe për futbollistë të tjerë dhe kjo është në dëm të vetë lojtarëve por edhe klubit Vllaznia. Këto të dhëna apo informacione duhet të jenë edhe në faqen zyrtare të klubit por aty mungojnë duke mos patur në asnjë lloj forme transparencë për publikun, tifozët apo edhe të interesuarit.

Artikulli paraprakHAXHINASTO NË INSPEKTIM: PO DËMTOHET SINJALISTIKA RRUGORE
Artikulli tjetërBUJAR QAMILI SHPËRNDAN NDIHMA NË SHTËPINË E FËMIJËS SHKOLLOR