Kur mendohej se Vllaznia gjeti qetësinë e saj dhe situata nisi një rrugëtim drejt normalizimit një tjetër lajm aspak i mirë vjen nga Zvicra.

E kishin menduar të harruar, jo serioz e aspak profesionist, abuzues dhe të papërgjegjshëm por ai nuk është ngutur, ka duruar dhe tashmë me qetësi rikthehet në skenë për të kërkuar shumëçka. Menduan se e kaluan lumin me të dhe e quajtën një kartë të djegur që nuk do kishte më forcë për asgjë. Në fakt është e kundërta. Fjala është për Roberto Navan. Të gjithë e mbajnë mend italianin karizmatik që u bë për një natë presidenti i Vllaznisë me një copë dyfletësh mbi tavolinat e anëtarëve të këshillit bashkiak të cilët votuan në buzëqeshje e sipër të bërit e Roberto Navas president i Vllaznisë sepse kështu kërkonte ish-kryetari i bashkisë, për t’ia lënë në dorë Vllazninë. Nuk mund të harrohet as ardhja e tij e bujshme në sallën e këshillit bashkiak duke mahnitur të gjithë edhe pse thuajse 10 ditë rresht Nava dhe ish-kryebashkiaku Lorenc Luka fyenin dhe akuzonin njëri-tjetrin dhe në fund ditën të gjejnë akordin. Presidenca e re “Gea Sport” për Vllazninë në dukje si shpëtim, nuk rezultoi ashtu por thuajse e çoi në greminë ekipin. Faji asnjëherë nuk u gjend dhe palët, Roberto Nava në një anë dhe bashkia Shkodër në anën tjetër rikthyen akuzat ndaj njëri-tjetrit ashtu si 10 ditëshi përpara se të përfshiheshin në natën romantike kur ranë dakord për marrëveshjen prej dyfletësh deri sa kjo kompani u largua në pak muaj duke ia lënë në derë Vllazninë bashkisë. Roberto Nava apo “Gea Sport” ka dërguar Vllazninë në gjykatën e arbitrazhit në Tiranë dhe tashmë shuma që kërkohet është tejet e konsiderueshme. Bëhet fjalë për 300 mijë euro që Nava i kërkon si dëmshpërblim jo vetëm moral por edhe për shpenzimet që ka bërë. Gjyqi sapo ka nisur dhe para pak ditëve është zhvilluar seanca e parë në gjykatën e arbitrazhit në Tiranë. Pas rreth dy javësh do të jetë seanca e dytë nga ku Vllaznia rrezikon ta humbasë për shkak se Nava dhe “Gea Sport” janë treguar finok në kuptin e kopsitjes në mënyrën e duhur të dokumentacionit dhe anës juridike. Në rast se arbitrazhi i jep të drejtë italianit që jeton në Zvicër atëherë bashkia Shkodër do të duhet që të paguaj shumën prej 300 mijë euro, në rast se gjyqin e fiton bashkia Nava dhe “Gea Sport” do të shkojnë në gjykata të tjera europiane për ta vijuar këtë betejë ligjore sepse në një përqindje të madhe e kanë të fituar. Ajo që mbetet është se kush e mban përgjegjësinë për dëmin prej 300 mijë eurosh që i shkaktohet bashkisë për Vllazninë dhe se kur do të marrë fund saga e shkatërrimit të këtij klubi.

Artikulli paraprakNIS ORGANIZIMI NË DEGËN E PD NË VAU DEJËS
Artikulli tjetërXHUDO, VLLAZNIA FITON 8 VENDE TË PARA NË KUPË