Vllaznia do ta nisë gjysmën e dytë të edicionit futbollistik me ndryshime në stafin teknik dhe atë drejtues.

Krijimi dhe funksionimi efikas i bordit të ri drejtues, caktimi i një trajneri të spikatur në Superiore, shkodran 24-karatësh, si Armando Cungu, janë një vlerë e shtuar për kuqeblutë. Natyrisht, situata nuk është e duhura, sepse shkodranët rrezikojnë mbijetesën në Superiore. Të paktën, për momentin, ata janë të përfshirë në këtë “valle”, së bashku me Tërbunin, Flamurtarin dhe Bylisin. Sfidat e para zyrtare për vitin 2016 e vendosin Cungun dhe të tijtë përballë kundërshtarësh tepër të fortë. Qysh në këtë fundjavë, Vllaznia do të luajë çerekfinalen e parë të Kupës së Shqipërisë me kampionët e Skënderbeut, në “Reshit Rusi”. Ndoshta kuqeblutë janë të vetëdijshëm se nuk mund të shkojnë deri në finale të këtij kompeticioni, ndaj mund ta shkarkojnë këtë “kungull nga sqetulla”. Përqendrimi në kampionat do t’i rriste mundësitë për të mos zbritur një kategori më poshtë, çka duket se është edhe synimi kryesor i klubit. Gjatë kësaj periudhe ka pasur disa largime, ndërsa i afruari i vetëm është mbrojtësi veteran, Endri Vrapi. Synimi i Cungut është edhe rikthimi i mesfushorit shkodran, Alsid Tafili, por ky i fundit duket se ndihet komod te “demat e kuq”. Në pritje të ndonjë goditjeje tjetër, që t’ia mbushë syrin trajnerit të Vllaznisë, ka vijuar përgatitorja e dimrit në Ulqin. Aty, edhe përmes miqësoreve, Armando Cungu është munduar të injektojë filozofinë e tij të punës dhe lojës, duke tentuar të marrë maksimumin e grupit që ka.

Artikulli paraprakITALI, SEKUESTROHET 93 KG KOKAINËM DY SHQIPTARË NË PRANGA
Artikulli tjetërNJË SHQIPTAR MES VIKTIMAVE TË ORTEKUT NË FRANCË