Një 21-vjeçar shqiptar është njëri nga pesë viktimat që humbën jetën nga orteku në Alpet franceze, të hënën e 18 janarit.

Denis Halili nga Dibra, ishte bërë pjesë e një kampi legjionarësh të huaj që stërviten për llogari të ushtrisë franceze, 6 muaj më parë. Lajmi është mësuar nga një telefonatë që familjarët e Halilit i kanë bërë Ministrisë së Jashtme për të bërë të mundur kthimin e trupit në atdhe. Burime nga Ministria e Punëve të Jashtme bëjnë me dije se tashmë kanë nisur proçeduarat për kthimin e trupit të të riut në vendlindjen e tij dhe se gjithçka është vënë në lëvizje pas shqetësimit të vetë familjarëve. Sipas mediave franceze Halili ishte pjesë e një grupi prej 50 ushtarësh të cilët po bënin ski në afërsi të qendrës së skive në Valfrez. Midis 5 viktimave ndodhet vetëm një shtetas francez si dhe një italian një moldav dhe një nga Nepali. Halili kishte nënshkruar një kontratë në qershor të vitit 2015 me një afat 5 vjeçar dhe fill pas stërvitjes së parë autoritetet franceze vunë re një shkallë të lartë profesionalizmi. Që prej 28 nëntorit të vitit të kaluar, Halili iu bashkua legjionit të dytë për të huaj, falë përgatitjes që zotëronte. Sipas përcaktimit, në legjionin francez mund të marrë pjese çdo person, pasi të ketë kaluar më parë proçedurat e përcaktuara. Personat që zgjedhin të bëhen pjesë e kësaj strukture duhet të kenë aftësi të qëndrueshme mendore dhe fizike. Ndërkohë, në vlerësimin që Ministria e Mbrojtjes franceze ka bërë, 21 vjeçari shqiptar cilësohej si një njeri dinamik në ushtrimin e profesionit, dhe me një sjellje shembullore. Denis Halili do të përfundonte shërbimin në zonën e Alpeve franceze në 28 janar të këtij viti. 5 ushtarët humbën jetën si pasojë e një orteku, teksa ishin duke zhvilluar stërvitje në Alpet franceze në kufi me Italinë.

Artikulli paraprakVLLAZNIA, SYNON NJË NISJE TË RE ME CUNGUN NË KRYE
Artikulli tjetërSHQIPERI, ITALI DHE SERBI BASHKE PER REFORMAT