Alsid Tafili dhe Arenc Dibra mund të jenë futbollistët e radhës që mund të largohen nga Vllaznia.

Nuk përjashtohet edhe ndonjë emër tjetër. Të dy këta lojtarë Tafili dhe Dibra mësohet se kanë oferta që vijnë nga Kosova. Ende asgjë nuk ka zyrtare por dy lojtarët po kërkohen nga Liria e Prizrenit. Klubi Vllaznia është në dijeni të ofertave që kanë këta lojtarë por nuk preferojnë që të sqarojnë se sa është shuma që i ofrohet apo edhe se cilat janë kushtet. Të dy këta futbollistë Tafili dhe Dibra kanë kontratë me Vllazninë dhe largimi i tyre nuk është i lehtë por në rast se shuma nga Liria e Prizrenit është joshëse atëherë mund të kërkojnë që të prishin kontratat me klubin kuqeblu. Natyrisht se në rast se dy lojtarët largohen nga Shkodra atëherë sërish do të ketë dhimbje koke për stafin teknik me në krye trajnerin Armando Cungu. Deri tani është ofruar tek Vllaznia vetëm Gocaj ndërsa më shumë janë larguar ose pritet që edhe të largohen. Po ashtu një tjetër ekip që kërkon lojtar në tregun e Shkodrës është edhe skuadra e Gjakovës Vllaznimi. Kosova tashmë ka një favor të madh sepse përveç lojtarëve cilësor që ka kudo në Europë për shkak të emigrimit të hershëm apo edhe pjesës dërrmuese në kombëtaren shqiptare tashmë është pranuar nga dy organizmat më të lartë të futbollit UEFA dhe FIFA. Kështu ekipet kosovare jo vetëm se po rrisin buxhetet por edhe një strategji tjetër tashmë për një zhvillim më të madh të futbollit. Futbollistët shkodran Tafili dhe Dibra janë të preferuarit e parë ndërsa mund të vijnë edhe oferta të tjera. Duke parë këtë situatë, shqetësuese është se si do të ndërtohet Vllaznia e sezonit të ardhshëm duke qenë se tekniku Cungu ka të qartë kushtin e tij, do një ekip që të mos diskutojë mbijetesën.

Artikulli paraprak‘SOFRA TRADICIONALE E YFTARIT” MBLEDH AUTORITETET NË SHKODËR
Artikulli tjetër“EURO 2016”, DITË VENDIMTARE, JA SI DUHET TË DALIN NDESHJET E SOTME QË TË KUALIFIKOHEMI