Vllaznia siguron miqësoren e radhës para minifazës.

Gjatë pasdites së sotme, ekipi i drejtuar nga Armando Cungu do të përballet me Kamzën, i cili, edhe pse militon në të Parën, me blerjet e bëra, është shndërruar në pretendent për t’u ngjitur në elitë. Ndeshja do të nisë në orën 18:00 dhe pritet të ndiqet me interes nga një numër i konsiderueshëm tifozësh. Afrimet e fundit, konkretisht ato të Ditmar Bicajt dhe Yll Hoxhës, kanë shtuar optimizmin në Shkodër. Ata presin që këtë sezon situata të ndryshojë dhe Vllaznia të nisë kampionatin me pretendime. Këta dy futbollistë pritet që të debutojnë për të parën herë me fanellën e kuqebluve. Me interes do të shihet edhe rreshtimi i ekipit në fushë, kur dihet që në pozicionet ku janë bërë blerjet e fundit ka jo pak konkurrencë. Miqësorja me Kamzën është e pesta që Vllaznia do të luajë gjatë kësaj periudhe. Ajo ka arritur deri më tani të fitojë tri prej tyre dhe ka barazuar tjetrën, pikërisht të vetmen e luajtur deri më tani në Shkodër, atë ndaj Deçiçit të Tuzit me rezultatin 0-0. Këto miqësore do t’i shërbejnë jo pak stafit teknik për të parë gjendjen e skuadrës. Ndryshe nga takimet e tjera, këtë herë nuk do të ketë “eksperimente”. Pra, s’do të ketë lojtarë në provë, pasi kjo përballje më shumti do të trajtohet për të konsoliduar skuadrën.

Artikulli paraprakHOXHA GARANTON TIFOZËRINË: NJË KAMPIONAT CILËSOR
Artikulli tjetërAKSIDENTI I VELIPOJËS, VIKTIMAT NUK KISHIN KONSUMUAR ALKOOL