Skuadra e Vllaznisë U-19 ka dështuar të marrë rezultat pozitiv në takimin e parë ndaj moldavëve të Zimbru, të vlefshëm për gjysmëfinalet e Play off të UEFA Youth League.

Ekipi i drejtuar nga Luan Zmijani u mposht me rezultatin 3-1, duke ulur ndjeshëm shanset për kualifikim, në ndeshjen e kthimit. U-19 i drejtuar nga trajneri Luan Zmijani e pa veten në disavantazh në minutën e 23, ku sulmuesi Stina lëshoji një predhë nga distanca duke e dërguar topin në trekëndëshin e djathtë të portierit Qarri.

Kuqeblutë u munduan të reagonin duke krijuar disa raste të pastra shënimi por pa arritur ta dërgojnë topin në rrjetë. Me kalimin e minutave vu re një lodhje nga ana e futbollistëve të Vllaznisë të cilët e lëshuan disi lojën. Një gabim në qendër të mbrojtjes në minutën e 77-të i dha mundësi Dontus të shënojë dhe golin e dytë.

Tre minuta më vonë, Zimbru trefishoi rezultatin. Për të mbajtur gjallë shpresat e Vllaznisë për një kualifikim të mundshëm në ndeshjen e kthimit mendoi sulmuesi Pusi i cili goditi saktë nga pika e bardhë e penalltisë. Takimi i kthimit do të zhvillohet në datën 18 tetor në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës. Vllaznisë i duhet një fitore me rezultat 2-0 për të vijuar më tej aventurën në Ligën e Kampionëve për të rinjtë.

Artikulli paraprakSHQIPËRI-ITALI NIS SHITJA E BILETAVE, POR KU?
Artikulli tjetërFAMILJA SHQIPTARE DORËZON NË POLICI ÇANTËN E GJETUR ME 115 MIJË EURO