Ekipi i Vllaznisë në volejboll për femra është drejt shkrirjes. Skuadra shkodrane rrezikon pjesëmarrjen në kampionat në pjesën e dytë të sezonit. Presidenti i shoqatësë së volejbollit të femrave Florian Zekja është drejt dorëheqjes për shkak të mungesës së fondeve dhe vonesave nga bashkia Shkodër për lëvrimin e buxhetit të ri. Të premten e kësaj jave më 12 janar pritet një taki mes zyrës së sportit në bashki dhe shoqatave sportive lidhur me buxhetin e vitit 2024. Ky takim është cilësuar i vonuar nga Zekja dhe do ta refuzojë këtë mbledhje. Kreu i shoqatës së volejbollit të vajzave tregon edhe se cilat janë arsyet e kësaj dorëheqje të tij që pritet ta bëjë brenda pak kohësh nëse nuk ka reagim për ta zgjidhur më shpejt këtë situatë.

“Ekipi jonë i femrave është në pushimin mes dy fazave të kampionatit dhe konkurrimi në thirrjen e ardhshme nuk garanton fitimin nga Shoqata jonë e kontratës me Bashkinë. Fondi lëvrohet më 14 mars dhe bëhet i padobishëm pasi me 14 prill mbaron kampionati dhe dëgjesa nga bashkia duhet që të bëhej në muajin nëntor të vitit të kaluar. Kontrata duhej bërë si herët e tjera në muajt qershor-gusht, pra në momentin kur kanë mbaruar të gjitha aktivitet. Kërkesa nga ana jonë me drejtorinë sportit ka qënë që nga muaji nëntor. Për fatin tonë të keq nuk kemi marrë përgjigje pozitive.

Për shkak të kësaj situate ne nuk do të marrim pjesë në atë takim të bashkisë Shkodër. Si pasojë projekti jonë mund të ndërpritet ose mund ta marrë në administrim një shoqatë tjetër me një vizion e staf tjetër. Mungesa e kontratës për një periudhë 2-3 mujore bën të pamundur realizimin e përforcimeve në merkato pasi lojtaret shkojnë në qytete të tjera që nuk e kanë këtë problem. Duke qënë se ka vonesa nga bashkia duhet të kemi parasysh se duhen përballuar financiarisht shpenzimet për pagat për lojtarët, organizimin e ndeshjeve kur bëhen në Shkodër apo për transportin e akomodimin në hotele kur luajmë në transfertë, tarifat e federatës, paisja me bazë materiale etj” bën të ditur Zekja në këtë sqarim për refuzimin e takimit dhe dorëheqjen e tij pas pak kohësh.

Tashmë, mbetet për t’u parë se cili do të jetë reagimi i Zyrës së Kulturës, Arsimit dhe Sportit në Bashkinë Shkodër për shkak se Vllaznia në volejbollin e femrave rrezikon shkrirjen e saj pas më shumë se 70 vitesh ekzistencë që nga themelimi i këtij ekipi.

Artikulli paraprakRUBIN HEBAJ FITON “TOPIN E ARTË” NË UZBEKISTAN
Artikulli tjetërPOLICIA E SHTETIT OPERACION ME AUTORITETET BELGE, SHKATËRROHET BANDA E DREJTUAR NGA SHQIPTARËT, 18 TË ARRESTUAR