Rubin Hebaj po kalon një formë të shkëlqyer në Uzbekistan. Sulmuesi shkodran është pjesë e Andijan dhe në 24-ndeshje këtë edicion ka shënuar 12-gola dhe ka dhënë 2-assiste. Paraqitjet e mira me skuadrën e tij kanë bërë që Hebaj të nderohet me “Topin e Artë” të Uzbekistanit, duke u shpallur si më i miri i vitit në shtetin aziatik. Hebaj ka qenë ai, i cili ka marrë më shumë vota nga specialistët e futbollit në Uzbekistan, të cilët kanë vlerësuar përformancën e sulmuesit, i cili po gjen formën e tij më të mirë. Edhe pse ekipi i tij u rendit në vendin e 7-të në fundin e sezonit që ka përfunduar pak kohë më parë, sërish shkodrani ka rënë në sy me atë ç’ka ka dhënë në fushën e lojës.

Vitin e fundit në Uzbekistan, sulmuesi kaloi momentin më të mirë në karrierë, teksa shkodrani ishte ai që mbajti mbi supe fatet e skuadrës së tij në shumë ndeshje të rëndësishme, ku tashmë vjen edhe shpërblimi për të, duke u cilësuar edhe si futbollisti më i mirë në Uzbekistan. Hebaj ka një karrierë të pasur, teksa krahas Vllaznisë, ka luajtur edhe me Partizanin dhe Teutën në Shqipëri. Poashtu, 25-vjeçari ka patur disa eksperienca jashtë vendit me Domzhale në Slloveni e Vorskla në Ukrainë, si edhe me Shkëndijën e Tetovës në Maqedoninë e Veriut. Hebaj ka kontratë me skuadrën e Andijan edhe sezonin që vjen, e thënë ndryshe deri në dhjetorin e këtij viti.

Artikulli paraprakMBLEDHJA 2-DITORE E QEVERISË NË SHËNGJIN
Artikulli tjetërVOLEJ FEMRA, VLLAZNIA RREZIKON SHKRIRJEN