Pas asaj ndaj Skënderbeut në Korçë javën e kaluar, Vllaznia e volejbollit të meshkujve ka marrë një tjetër fitore të vlefshme për kampionat. Në kuadrin e javës së dytë, ajo ka fituar me rezultatin e pastër 3-0 ndaj ekipit të Studentit, në ndeshjen e luajtur pasditën e së premtes në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”. Në setin e parë, në fakt nuk ka patur shumë rivalitet dhe volejbollistët shkodranë fituan me rezultatin 25-16. Krejt ndryshe do të ishte historia e setit të dytë, kur edhe Studenti tenton deri në fund fitoren, por në fund është Vllaznia që e fiton edhe këtë set me shifrat 27-25.

Kuqeblutë do të fitonin edhe setin e tretë 25-20 dhe në këtë mënyrë krejt ndeshjen me rezultatin e pastër 3-0. Pas këtij dueli, trajneri i Vllaznisë në volejboll për meshkuj, Artan Kalaja, u shpreh se është i lumtur me dy fitoret rradhazi, pasi të dyja ekipet që kanë mposhtur janë rivalë të kuqebluve.

Ndërkohë, presidenti Aleksandër Leqejza foli për objektivat e Vllaznisë për sezonin e ri, teksa kur u pyet pse volejbolli i meshkujve ka vite që nuk konkurron për titullin kampion, ai u shpreh se duhet shumë punë për ta arritur një gjë të tillë.

Në këtë mënyrë, Vllaznia merr fitoren e dytë rradhazi në dy javë kampionat, duke i bërë një start të shkëlqyer kampionatit.

Artikulli paraprakNARAÇI: SEZONI VEROR NË PEDIATRI, I QETË
Artikulli tjetërVOLEJ FEMRA, VLLAZNIA FITON NDAJ BARLETIT