Ekipi i volejbollit të meshkujve të Vllaznisë ende nuk e ka gjetur zëvendësuesin e trajnerit të mëparshëm Artan Kalaja.

Ky i fundit, dy muaj më parë ka dhënë dorëheqjen nga ky post duke qenë i mërzitur nga problematika e hasur prej vitesh me të. Drejtuesit e klubit shumësportësh menjëherë menduan për zëvendësimin e tij dhe madje u përfol për mundësinë e marrjes së një trajneri malazez. Por me kalimin e ditëve, në këtë drejtim nuk pati ndonjë zhvillim edhe ngaqë nuk u gjet ndonjë sponsor që mund të merrte përsipër pagesën e këtij trajneri. Megjithatë, drejtuesit kanë marrë masat që ekipi të mos qëndronte pa stërvitje. Për këtë arsye, drejtori i klubit Mark Kroqi ka angazhuar trajnerin e përgatitjes atletike Fatjon Serhati për t’i zhvilluar stërvitje sportistëve në mënyrë që ai të bëhet gati për nisjen e kampionatit. Në këtë mënyrë tashmë duhet pritur se çfarë do të ndodhë në ditët e ardhshme. Sezoni i ri sportiv i volejbollit shqiptar të meshkujve pritet të ketë një shtim të numrit të skuadrave pjesmarrëse dhe kjo natyrisht që e shton vështirësinë e kampionatit. Vllaznia mendohet të jetë sërish pretendente megjithatë duhet pritur se çfarë do të ndodhë me trajnerin. Në Shkodër aktualisht nuk shihet ndonjë trajner tjetër që mund të marrë drejtimin e skuadrës dhe sërish sytë janë nga vendi fqinj megjithatë po shihet mundësia financiare që të gjendet një sponsor tjetër.

Artikulli paraprakEKSPOZITA “HISTORIA E SHQIPËRISË PËRMES HARTAVE”
Artikulli tjetërDITA E FOTOGRAFISE, DEDIKIM KEL MARUBIT