Këshilli i Ministrave ka publikuar dy vendime shumë të rëndësishme, të cilat lidhen me pezullimin e prokurimeve nga Bashkitë dhe autoritetet kontraktore. Një vendim i tillë është justifikuar për të mos keqpërdorur pushtetin për qëllime elektorale dhe për të pasur më tepër paanshmëri dhe trajtim të barabartë ndaj kandidatëve gjatë fushatës.

Vendimi paracakton që pezullimi të zgjas deri në marrjen e detyrës nga kryebashkiakët e rinj.Lidhur me këtë vendim ka reaguar në faqen e saj zyrtare në Facebook kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi e cila shprehet se asfikson deri në asgjësim qeverisjen vendore në vend. Kryebashkiakja arsyeton se ky vendim sjell efekte të menjëhershme dhe shkatërrimtare për qeverisjen vendore.

Qeveria shqiptare, me propozim të kryeministrit, ka marrë sot një vendim që praktikisht asfikson deri në asgjësim qeverisjen vendore në Shqipëri.
Sot, më 10 maj, pa paralajmërim, është vendosur pezullimi i fillimit të procedurave të prokurimit për njësitë e vetëqeverisjes vendore dhe autoritetet kontraktore në varësi të tyre për vitin 2019 për një periudhë të pacaktuar.

Vendimi është i paprecedent dhe shumë i rrezikshëm, duke ndaluar të gjitha shërbimet dhe investimet për qytetarët, duke penguar zhvillimin social e ekonomik të qyteteve, duke asfiksuar ekonominë, në shkelje flagrante të Konventave Ndërkombëtare për Autonominë e Qeverisjes Vendore, Kushtetutën e Shqipërisë, ligjin “Për vetëqeverisjen vendore”, ligjin “Për financat vendore”, ligjin “Për buxhetin e shtetit”, vendimet e qytetarëve përmes këshillave bashkiakë.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare, duke sjellë efekte të menjëhershme e shkatërrimtare për qeverisjen vendore.
Të gjitha shërbimet dhe investimet e planifikuara nga bashkitë, të miratuara nga këshillat bashkiakë dhe që do të kryheshin me të ardhurat e vetë qytetarëve, të ardhura që bashkitë menaxhojnë, nuk do të mund të realizohen.

Vendimi është më absurd, kur flitet për pezullim të përkohshëm, por nuk ka një afat të përcaktuar se deri kur pezullohen të gjitha procedurat.Jemi në kushtet kur ky vendim nuk mund të atakohet si antikueshtetues në Gjykatën Kushtetuese, e cila është asgjesuar në emër të gjoja “drejtësisë së re”, jemi në kushtet e një abuzimi të hapur nga qeveria, e cila merr kompetenca të cilat i përkasin një niveli tjetër të qeverisjes.

I kërkojmë qeverisë dhe kryeministrit të reflektojnë urgjent dhe të anullojnë këtë vendim antikushtetues dhe haptas në shkelje të parimeve të autonomisë së qeverisjes vendore.Vemë në vemendjen e të gjithë kancelarive të huaja që mbështesin bashkitë dhe qeverisjen vendore kërkesën për ndihmë institucionale dhe lobuese, që ky vendim të zhbëhet shkruan kryetarja e bashkisë Voltana Ademi.

Artikulli paraprakPS ZYRTARIZON KANDIDATËT PËR KRYETAR BASHKIE
Artikulli tjetërNDËRRON JETË USHTARAKU I DYTË NË LETONI