Disa detaje të reja janë zbuluar nga vrasja e 32 vjeçarit Nard Polia në Shkodër, pasditen e 20 marsit. Në momentin kur u qëllua me 20 plumba Nard Polia ndodhej në fouristradën e tij të cilën sapo e kishte nxjerrë nga servisi në Grudë për ta provuar bashkë me punonjësin e servisit, shtetasin Xhovani Mirashi.

Ky i fundit edhe pse ndodhej në sediljen e pasagjerit i ka shpëtuar mrekullisht plumbave pasi autori objektiv kishte vetëm 32 vjeçarin. Menjëherë pas vrasjes dëshmitari është shoqëruar në polici dhe atje ka treguar krejt ngjarjen e ndodhur.

Sipas burimeve dëshmitari ka treguar se menjëherë pasi është qëlluar Nard Polia, ai për një moment ka menduar se mund ta qëllojnë edhe atë. Është ulur menjëherë nga fouristrada dhe ka bërtitur me gjithë fuqinë e zërit duke thënë “e vrau, e vrau”. Fare pranë vendit të vrasjes është edhe servisi. Vëllai i dëshmitarit ka dëgjuar të bërtiturën e vëllasë së tij dhe duke mos ditur se çfarë po ndodhte ka dalë menjëherë nga servisi.

Autori pasi ka qëlluar Nard Polinë ka hipur në motorin e tij tip T Max duke u larguar me shpejtësi. Vëllai i dëshmitarit teksa ka vërejtur motorin e autorit që po shkonte në drejtim të servisit është munduar që ta ndjekë me makinë për ta rrëzuar atë dhe për ta ndaluar.

Autori ka devijuar rrugën duke u futur në një segment ku makina nuk mund të kalonte. Në këtë mënyrë autori është larguar nga rruga dytësore e fshatit Hot, ka dalë tek vendi i quajtur Vinoteka dhe nga aty tek ura e Mesit duke djegur motorin dhe duke u larguar ndërsa ka shmangur aksin kryesor.

Sipas burimeve policia mendon se autori mund të jetë larguar me një mjet me karrocëri në drejtim të fshatit Bardhaj por ky është thjeshtë një dyshim.

Nga ana tjetër policia vendore e Shkodrës i ka përqëndruar hetimet kryesisht tek ngjarjet e ndodhura në Itali para 9 apo 10 vitesh kur Nard Polia ndodhej në shtetin fqinj.

Në vitin 2011, 32 vjeçari që mbeti i vrarë është arrestuar bashkë me 7 persona të tjerë, i dyshuar për trafik të kokainës, shfrytëzim prostitucioni dhe vjedhje me dhunë duke u dënuar kështu me 4 vite burg.

Është e paqartë nga autoritetet shqiptare se çfarë ka ndodhur me këtë dënim pasi 32 vjeçari ndodhej prej disa vitesh në Shqipëri duke u marrë me bujtinën e tij në Theth. Policia vendore e Shkodrës i ka dërguar një kërkesë Interpolit të Italisë duke i kërkuar informacion mbi aktivitetin kriminal në atë kohë të 32 vjeçarit,

lidhjet e tij me personat e tjerë të arrestuar apo edhe marrëdhëniet me grupe të tjera kriminale apo persona që mund të kenë qenë të dyshuar për të gërmuar për ndonjë konflikt të mundshëm por edhe për t’u njohur me dosjen e plotë nga e cila për policinë mund të burojnë indicie që mund të lidhen më pas me vrasjen e Nard Polisë.

E vetmja pistë për momentin mbeten ngjarjet e Italisë duke qenë se në Shkodër nuk raportohet për ndonjë konflikt apo marrëdhënie kontradiktore.

Artikulli paraprakSHKODËR, HUMB JETËN NË AKSIDENT 40 VJEÇARI
Artikulli tjetërLEZHË, POLICIA GJEN TË DJEGUR MAKINËN E GRABITUR