Policia vendore e Shkodrës ka arrestuar një shtetas të dyshuar si bashkëpunëtor në vrasjen e shtetasit R.H, e ndodhur më 28 nëntor në fshatin Mushan të njësisë Dajç dhe dy të tjerë për moskallëzim krimi ndërsa janë shpallur në kërkim autorët e dyshuar të vrasjes që sipas policisë janë vëllezërit Duel dhe Hydajet Mehmedaj. Në pranga sipas policisë ka rënë shtetasi Milkjor Gjoka, 25 vjeç lindur e banues në njësinë Dajç i dyshuar nga policia për veprën penale “vrasja me paramendim” e kryer në bashkëpunim.

Policia bën të ditur se në kuadër të kontrolleve, gjatë orëve të mbrëmjes, nga shërbimet e Policisë u bë e mundur kapja dhe arrestimi i shtetasit Milkjor Gjoka. Ky shtetas dyshohet se ka qenë prezent në momentin kur është bërë vrasja duke ndihmuar vëllezërit Mehmedaj në ekzekutimin e 46 vjeçarit R.H që mbeti i vrarë në mjetin e tij tip  BMË X5. Ndërkohë policia vendore e Shkodrës ka arrestuar edhe dy shtetas të tjerë të cilët janë të dyshuar për moskallëzim krimi.

Policia në njoftimin e saj bën të ditur se në vijim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, i shtetasve B. M. 49 vjeç, banues në fshatin Mushan, Dajç, Shkodër dhe M. G., 49 vjeçe, banuese në fshatin Suka-Dajç, Shkodër, të cilët kanë qënë prezent kur ka ndodhur ngjarja dhe nuk kanë kallëzuar në organet kompetente per krimin e ndodhur.  Shtetasi me inicialet B.M është punonjës i karburantit në afërsi të të cilit ndodhi vrasja ndërsa shtetasja M.G ka qenë një kalimtare e rastit por policia ka dyshime se ka qenë prezent kur ka ndodhur vrasja. Policia thotë se është bërë e mundur zbardhja e ngjarjes dhe indetifikimi i autorëve.

Sipas policisë janë shpallur në kërkim dhe vijon puna për kapjen e tyre të dy vëllezërve Hydajet Mehmedaj 33, vjeç dhe Duel Mehmedaj, 31 vjeç, banues në fshatin Mushan të dyshuar si autorë të vrasjes. Policia po bën kontrolle intensive bashkë me forcat e FNSH dhe Forcat Speciale Renea, për lokalizimin dhe kapjen e autorëve. Grupi hetimor ka sekuestruar në vendin e ngjarjes, në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri pistoletë, dy krehëra me fishekë pistolete, gëzhoja të armës automatike, automjetin e viktimës dhe prova të tjera të vlefshme që do t’i shërbejnë zbardhjes dhe dokumentimit të ngjarjes.

Artikulli paraprakPRAGNDESHJA, VLLAZNIA GATI PËR FITORE NDAJ KUKËSIT
Artikulli tjetërSHKODËR, FESTOHET 76-VJETORI I DITËS SË ÇLIRIMIT