Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka dhënë një numër zotimesh për ndihmë financiare për lindjen e fëmijëve me synim shtimin popullsisë.

Sipas mediave serbe ai është shprehur se po “shuhen si komb” për shkak të uljes së numrit të demografisë, prandaj sipas tij numri i lindjeve duhet të rritet.

Vuçiç tha se nga 1 janari 2022, prindërit do të marrin 300 mijë dinarë (2550 euro) nga shteti për çdo fëmijë të parëlindur, në vend të 100 mijë dinarëve të mëparshëm.

“Duke pasur parasysh faktin se po zhdukemi si popull, se jemi gjithnjë e më pak, të dhënat tregojnë se për riprodhim na duhet 2.15. Është një problem shumë kompleks. Pavarësisht se buxheti është miratuar, nga 1 janari shteti do të paguajë 300 mijë dinarë për fëmijën e parë që lind në familje.

Duam të inkurajojmë lindjet. Jemi duke punuar në masa për fëmijën e dytë dhe do të rritet ndjeshëm, sidomos për fëmijën e dytë, sepse fëmija i dytë është një lloj kthese, sidomos për nënat, por edhe për meshkujt”- tha ai.

Vuçiç tha se edhe masat e tjera pritet të miratohen meqë duan që t’i plotësojnë nevojat prindërore

“Ne duam të motivojmë të rinjtë që të largohen më herët nga shtëpitë dhe apartamentet e prindërve, sepse ata kanë një shans për të krijuar familje. Kjo do të inkurajojë ndërtimin e banesave, por edhe çiftet që duan të bëhen prindër. Është 20 mijë euro ndihmë shtetërore”, ka theksuar Vuçiç.