
Sonte është nata e parë e Festivalit të Këngës, në Radio Televizionin Shqiptar, që si çdo vit mbahet në Pallatin e Kongreseve. Siç është zbuluar më herët, drejtimi artistik i festivalit i është besuar kantautorit Elton Deda, ndërsa do të prezantohet nga Ardit Gjebrea, Xhemi Shehu, Jonida Maliqi, Isli Islami dhe Kelvi Kadilli.
Sakaq, pak para natës së parë, janë zbuluar emrat e jurisë së festivalit, në këtë edicion jubilar, pjesë e të cilës do të jenë tekstshkrues, këngëtarë e kompozitorë.
Në juri do të jenë emra të mirënjohur si:Olti Curri, Rozana Radi, Anxhela Peristeri, Luan Zhegu, Agim Doçi, Anxhela Faber dhe Olsa Thaqi.
Nata e parë i dedikohet konkurrimit të 20 këngëtarëve, nata e dytë do t’i dedikohet nostalgjisë, me çdo emër që ka lënë gjurmë në këtë festival në 60 vjet histori dhe nata e tretë, 29 dhjetor, do të jetë e përshtatur sipas formatit të Eurovisionit.
Netët e Festivalit do të ndiqen nga publiku, me numër të kufizuar, teksa do kërkohen certifikata e vaksinimit dhe tamponi negativ.