Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka regjistruar 35 denoncime për incidente dhe parregullsi gjatë procesit të votimeve për zgjedhjet lokale. Zgjedhjet e 14 majit për pushtetin vendor u shoqëruan me incidente në disa qarqe të vendit ku sulmeve nuk i shpëtuan as vetë kandidatët për kryebashkiakë.

Erion Isai, kryebashkiak i Ersekës dhe kandidat i Partisë Socialiste në këtë bashki për një mandat të dytë, u sulmua gjatë natës para nisjes së votimeve. Si autor të ngjarjes, policia ka arrestuar simpatizantin e koalicionit Berisha-Meta, Esmeraldo Kacolli dhe ka proceduar në gjendje të lirë Xhemal Kalon, duke i akuzuar se ndaluan makinën e Erion Isait teksa ai kthehej në banesë dhe e goditën me grusht në fytyrë. Policia e Beratit ka nisur procedim për kandidatin e koalicionit Berisha-Meta për bashkinë e Kuçovës, Lefter Maliqi dhe shoqëruesin e tij me akuzën se kanë kanosur dhe fyer 4 persona, punonjës të një firme ndërtimi në një lokal të qytetit. Pas nisjes së votimeve, qendra e votimit Nr.2390/01 në Bradashesh njoftoi policinë se kandidati i koalicionit Berisha-Meta për bashkinë e Elbasanit, Luçiano Boçi ka ushtruar presion ndaj zgjedhësve në mjediset e brendshme.

Ndërkaq në Tiranë, kryetari i grupseksionit Nr. 6 të rithemelimit, ka tentuar të bllokojë votimin në shkollën ‘’At Zef Pëllumbi’’. Pak para mesditës, tensione janë regjistruar në qendrën e votimit në Zvezdë, ku përfaqësuesi i koalicionit “Bashkë Fitojmë” Edmond Spaho ka tërhequr prej krahu një votues. Incidenti ndodhi brenda qendrës së votimit në Zvezdë të Maliqit dhe është denoncuar nga kandidati socialist Gëzim Topçiu. Spaho ka pretenduar se nuk po lejohej të takonte komisionerët. Votimi në Elbasan u shoqërua me incidente tek shkolla “Dhaskal Todri” ku komisioni ka kërkuar ndihmën e policisë pasi brenda qendrës së votimit ka hyrë Flamur Noka. Anëtarët e komisionit denoncuan se Noka ka ushtruar presion ndaj tyre. Ndërkaq në tri qendrat e votimit, 2369, 2347 dhe QV2370/1 kandidati i Luçiano Boçi është futur në ambientet e brendshme i shoqëruar nga një grup personazh të pa autorizuar. Partia socialiste akuzoi se ai ka intimiduar operatorët e pajisjeve të votimit elektronik, komisionerët por edhe zgjedhësit. Një tjetër incident u shënua në Durrës, ku kreu i Rithemelimit së bashku me dy persona të tjerë kanë dhunuar fizikisht kandidatin e PS-së për këshillin bashkiak. Policia ka ndërhyrë pas denoncimit të disa komisionerëve për disa persona të paautorizuar që pengonin zhvillimin normal të procesit të votimit. Pas ndërhyrjes së forcave të rendit votimi rifilloi ndërkohë që në Spitallë në korridorin e qendrës së votimit 1430-2, kandidati i Këshillit bashkiak të PS-së, Hekuran Markola është dhunuar fizikisht nga tre persona. Policia është vënë në kërkim të tre personave, Dritan Burgija, Pjeter Pjetri dhe Ndrec Pjetri të denoncuar si autorë të sulmit. Në Kavajë deputeti Ervin Salianji ka shkaktuar një incident në Qendrën e Votimit numër 2174 ku ka hyrë i shoqëruar nga persona të tjerë të cilët mbanin kapele për të mos u identifikuar dhe ka sharë dhe ofenduar një komisioner të Partisë Socialiste. Në Sarandë komisariati i Policisë ka marrë njoftim nga vëzhguesi në Qendrën e Votimit nr.4731, Xarrë, se dy shtetas kishin fotografuar fletët e votimit dhe më pas kishin dalë jashtë. Pas nisjes së hetimit, dy bashkëshortët dhe vëzhguesi janë paraqitur me vullnetin e tyre, në Prokurorinë e Sarandës, ku ka nisur procedimi ndaj tyre për veprën penale “Shkelja e fshehtësisë së votës”.

Në Dibër, kandidati i Partisë Socialiste Rahim Spahiu denoncoi rivalin e tij të koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Ismail Uka se me eksponentë të tjerë se ka shkuar në qendrat e votimit dhe ka intimiduar zgjedhësit. Spahiu tha se bëhej fjalë për qendrat e votimit në qytetin e Peshkopisë, te shkolla ‘Profesionale”. Një tjetër incident ndodhi në Krujë, ku shtetasi me iniciale B.T ka marrë dy fletë votimi nga Qendra e Votimit dhe i ka dëmtuar dhe më pas i ka hedhur në koshin e mbeturinave. 44-vjeçari banues në Tapizë është arrestuar në flagrancë, për veprën penale “Dëmtimi me dashje i materialit zgjedhor”. Dy orë para përfundimit zyrtar të votimit, deputeti Flamur Noka shkaktoi dy incidente në qendrat e votimit të fshatrave Kuqan dhe Shirgjan duke u bërë shkak për pezullimin e procesit. Policia tha se rreth orës 17:00, është njoftuar se drejtuesi politik i koalicionit “Bashkë Fitojmë“, deputeti Flamur Noka, ishte futur në Qendrën e votimit të fshtatit Kuqan dhe ka ofenduar komisionerët, ndërsa në qendrën e votimit në Shirgjan ka tentuar të shtyjë kutitë dhe është larguar. Policia tha se komisionerët nuk kërkuan ndërhyrjen e Policisë, megjithatë për situatën është është njoftuar menjëherë Prokurori dhe kanë nisur veprimet hetimore. Komisioni i qendrës së votimit ka mbajtur një proces verbal ku theksohet se Noka ka hyrë në dhomën e votimit duke shkaktuar debate me tone të larta duke intimiduar anëtarët e Komisionit duke shtyrë edhe kryetarin. Kandidati i PS në Elbasan, Gledian Llatja ka depozituar kallëzim penal ndaj Flamur Nokës për dy incidentet. Në Roskovec, policia bllokoi automjetin luksoz të markës Porsche që i përket kandidatit të ‘Bashkë Fitojmë’ në Roskovec, Erdit Hazizaj me vlerë rreth 200 mijë euro. Ndërhyrja e forcave të rendit ndodhi pasi kandidati i “Bashkë Fitojmë” Erdit Hazizaj goditi me grushta dy qytetarët Andrea Hatia dhe Taulant Cjapi në Qendrën e Votimit 3061.

Në Kamëz, prania e Myftar Lumneshit dhe Klevis Balliut u bë shkak për bllokimin e derës e qendrës së votimit në Shkollën ‘Ibrahim Rugova’. Myftar Lumneshi është në listën e të kallëzuarve në SPAK për implikim në vrasjen e katër vëllezërve të saj, Shkëlqim, Halil, Fatmir dhe Ylli Haklajt, ku si organizator është kallëzuar Sali Berisha. Një orë para orarit zyrtar të mbylljes së votimeve, ish kryetari I komunës së Shëngjinit në Lezhë, Salvador Kaçaj ka denoncuar në polici se ka qenë duke lëvizur me mjetin e tij së bashku me djalin dhe shoferin, në aksin rrugor Lezhë-Milot, kur dy automjete i kanë dalë para duke i bllokuar rrugën. Prej tyre kanë zbritur dy persona të panjohur prej tij, ku njëri është afruar me vrap në drejtim të mjetit të Kaçajt ndërkohë që në dorë mbante një pistoletë. Shoferi i mjetit ku udhëtonte përfaqësuesi i opozitës, ka manovruar duke e kthyer mjetin në drejtim të Lezhës ku kanë shkuar menjëherë në polici dhe kanë bërë kallëzim.

Artikulli paraprakBERISHA NUK PRANON HUMBJEN NË 3 BASHKITË E PARA: TË BËHET VERIFIKIMI DHE AUDITIMI I PAJISJEVE ELEKTRONIKE
Artikulli tjetërREZULTATET PARAPRAKE/ PS KRYESON NË 53 BASHKI NGA MALËSIA E MADHE NË KONISPOL. “BASHKË FITOJMË” DREJT FITORES SË 7 QYTETEVE