PD, PS DHE LSI PARË NË NJË KËND TJETËR SIPAS REZULTATEVE TË KQZ. Nga 2011-ta deri në 2015-ën shumë ujra kanë rrjedhur. Shifrat elektorale të para katër viteve me ato të 21 qershorit për zgjedhjet lokale kanë ndryshuar jo pak. Tre forcat më të mëdha politike, PD, PS dhe LSI janë transformuar qoftë në burime, lidership por edhe numër votash. Për herë të parë reforma e re territoriale ku Shkodrës i bashkohen edhe 10 njësi administrative vërtetoi se sa të lidhur ishin komunitetet e zonave të ndryshme me ish-kryetarët e komunave, pra me individin.

Në shumë prej këtyre 10 njësive kryekomunarët dukeshin si shëtitës sesa si udhëheqës të fushatës elektorale në njësitë ku dikush më shumë e dikush më pak drejtoi në jo pak kohë një numër të caktuar banorësh. Më e fituara e këtyre zgjedhjeve edhe pse trumpetohet LSI-ja dhe 10 këshilltarët e saj në fakt është Voltana Ademi që së shpejti do jetë kryebashkiakja e re dhe pak më pak Partia Demokratike, kjo në bazë të rezultateve të KQZ-së të 2011-ës krahasuar me 2015-ën. Më e humbura në zgjedhjet vendore të 21 qershorit patjetër që është partia socialiste e cila mori një rezultat zhgënjyes sa i përket numrit të votave siç tha edhe Edi Rama një ditë më parë se Ilir Meta heç peshë nga vetja për t’ja shtuar LSI-së, peshën më të madhe kryeparlamentari e shtoi në Shkodër duke dobësuar socialistët e duke krijuar një duel të heshtur mes koalicionit të majtë në këtë qytet që mbase një ditë mund të bëhet edhe publik. Demokratët si PD dhe Ademi po ashtu kanë një rritje të ndjeshme thuajse në të 11 njësitë e Bashkisë së re të Shkodrës ashtu siç LSI në total krahasimisht me 2011-ën trefishoi votat dhe mbase me të drejtë deputeti Agron Çela e quajti forcën e tij politike të frikshme në një intervistë për “Star Plus” natën e 26 qershorit kur edhe numërimi i votave përfundoi. Natyrisht që shumëçka që ndodhi pas 2013-ës kur u mbajtën zgjedhjet parlamentare dhe rrotacioni politik ku qeverinë e mori e majta për të rikthyer demokratët në opozitë patën jo pak ndikim. Sidoqoftë zgjedhjet lokale asesi nuk kanë të bëjnë me votën politike ndaj për të bërë radiografinë duhet të presim 2017-ën. Deri atëherë ka kohë për të gjithë.

Artikulli paraprakBASHA: TË RIVENDOSIM STANDARTET E ZGJEDHJEVE
Artikulli tjetërPD PUBLIKON VIDEO: JA SE SI U MBUSHËN KUTITË NË BRUÇAJ