Presidenti Ilir Meta ka reaguar për zgjedhjet në Malin e Zi. Përmes një video-mesazhi në rrjetet sociale, Meta shprehet se duhet të jemi krenarë për rolin dhe kontributin historik që faktori shqiptar në Malin e Zi ka luajtur deri sot.

Ai u ka bërë thirrje bashkëkombësve në vendin fqinj që të votojnë listat shqiptare për të rritur përfaqësimin e tyre në parlamentin malazez.

“Zgjedhjet e 30 gushtit janë një mundësi e shkëlqyer për të gjithë qytetarët e Malit të Zi, për të forcuar akoma më shumë perspektivën europiane të vendit të tyre.

Me këtë rast, shpreh bindjen se bashkëkombësit tanë në Malin e Zi, do ta shfrytëzojnë këtë mundësi historike përmes pjesëmarrjes së gjerë, por njëkohësisht përmes mbështetjes së tyre për alternativat shqiptare, në mënyrë që përfaqësimi i tyre në Parlamentin e Malit të Zi të rritet, si dhe në të gjitha institucionet e ardhshme qeverisëse.

Të jemi krenar për rolin dhe kontributin historik që faktori shqiptar në Malin e Zi ka luajtur deri sot.

Por pa dyshim që do të luajë edhe në të ardhmen, për të garantuar perspektivën europiane të këtij vendi mik, fqinj dhe partner i pazëvendësueshëm, për paqen dhe stabilitetin në rajonin tonë”, deklaron Meta.

Artikulli paraprakVUÇIÇ: SERBIA NË SITUATË TË VËSHTIRË NË LIDHJE ME KOSOVËN
Artikulli tjetërBASHA TJETËR THIRRJE SHQIPTARËVE NË MAL TË ZI: VETËM DEPUTETËT SHQIPTARË JANË NË SHËRBIMIN TUAJ